Ragip Azemi që 20 vite, çdo mëngjes e viziton këtë vend, për të përkujtuar masakrën që forcat serbe bënë mbi shqiptarët, këtu në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë. Azemi është njëri nga të mbijetuarit e kësaj masakre, i cili me dhimbje e kujton ditën e 15 Prillit të vitit 1999.
“Policia ka ardhur në ora 10:00 me urdhër të Serbisë dhe na kanë thënë se për pesë minuta duhet të niseni për Shqipëri. Sapo dolëm jashtë na thirrën dhe na vendosën në një vend bashkë me shumë të tjerë. Na rreshtoi dhe na tha “kush keni para ose dukat jepni vet, mos të filloj unë kontrollën”. Ne ashtu vepruam dhe kush ishte diçka dha dhe nuk na kontrolloi”, fillon rrëfimin Ragip Azemi.
Pas përfundimit të kontrollës, forcat serbe disa nga qytetarët i kishin ndaluar në këtë vend, ndërsa të tjerëve iu kishin thënë të largohen për në Shqipëri, në mesin e të ndaluarve ishte edhe djali i tij, Minirin.
“Pas plaçkitjes, filluan të bënin me gisht “ti, ti dhe ti, duhet të qëndroni këtu, ju tjerët shkoni në stacion të autobusëve për Shqipëri. Prej familjarëve të mi ma ndalën djalin më të madh që në atë kohë ishte 26 vjeçar”, vijon rrëfimin Ragip Azemi.
Azemi thotë se gjatë rrugës ka pasur shumë forca policore të cilat edhe ushtronin dhunë mbi popullatën.
“Kemi dalë në asfalt dhe jemi nis për stacion. Aty pamë një policë dhe një rezervist ushtarak dhe deri te xhamia askush nuk na ka nguc. Kur kemi arritur aty më kanë ndaluar mua dhe tetë veta tjerë dhe na kanë rrahur. Ai kishte rroba ushtarake”.
Azemi kujton se edhe qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i lehtë, nuk kishin as edhe një informacion për familjarët që serbët i kishin ndalur në “Lagjen e Boshnjakëve”.
“Prej Kukësit na kanë dërguar në Gostil. Shatorri i parë që është montuar ka qenë ai që jam vendosur unë dhe familja ime”.
Kur ishin kthyer nga Shqipëria, lagjja ishte tërësisht e djegur, ndërsa vendi ku serbët e kishin ndalur djalin e tij dhe shumë të tjerë, Ragipi thotë se kundërmonte një erë të rëndë, ku edhe u gjetën edhe trupa të masakruar.
“Vinte një erë e rëndë. Ne lajmëruam francezët e ata UNMIK-un. UNMIK-u ka hyrë brenda dhe në një shporet të zi gjetën eshtrat. Ata e kanë paraparë që këtu kanë vrarë disa persona”, tregon ndër të tjera Ragip Azemi.
Forcat serbe më 15 prill të vitit 1999, pasi kishin mbledhur rreth 80 persona në shtëpinë e Mustafë Sahitit, kishin nisur torturimin e tyre dhe vranë 23 shqiptarë në gjithë lagjen. Shtëpia në të cilën ndodhi masakra tashmë është shndërruar në muze. /RTV Dukagjini/Telegrafi/