Site icon Telegrafi

20 vjet nga atentati – Deputeti Rudi thotë se Gjykata Speciale është e vetmja shpresë që të zbardhet sulmi ndaj tij

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fetah Rudi ka thënë se tash e 20 vjet ka dështuar që urdhërdhënësit e atentatit ndaj tij të dalin para drejtësisë.

Megjithatë, deputeti Rudi ka thënë se tani po shihet një dritë në fund të tunelit, dhe se Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj tij dhe të gjitha vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, transmeton Telegrafi.

“15 dhjetor 2000, ora 14:35 minuta. Që nga ai moment, tash e dy dekada unë jam në karrocë. Këto 20 vite kam kaluar nëpër shumë sfida të rënda, por duke mos u ndalur kurrë, dhe me një vullnet të madh për të ecur përpara. Që të jem i fortë dhe i pathyeshëm në këto vite jo të lehta, më ndihmuan familja që më qëndroj afër gjithmonë. Për të vazhduar dhe të jem i lumtur, më bën fëmijët e mi me sukseset dhe punën e tyre”, ka theksuar Rudi.

Deputeti Rudi ka thënë se energji dhe vullnet i kanë dhënë edhe miqtë e tij.

“Po ashtu, këtë vullnet dhe energji për të mos u ndalur, ma japin edhe shumë miq të mi, që asnjëherë nuk më harruan, por më ndihmuan dhe më mbështeten në mënyra të ndryshme, si këtu në Kosovë, ashtu edhe mërgimtarët tanë.

Atentati ndaj meje u bë vetëm pse isha gjithmonë në krah me Dr. Rugovën, si para, gjatë dhe pas luftës. Nga unë kërkohej që të hiqja dorë nga LDK-ja e Dr. Rugova. Por unë nuk zgjodha një gjë të tillë, pasi kjo nënkuptonte që të hiqje dorë nga rruga e shtet-ndërtimit të Kosovës, synim ky i LDK-së dhe Dr. Rugovës. Ky synim vazhdon edhe sot”, ka shkuar Rudi në Facebook.

Tutje ai ka shkruar se “tash e 20 vite, drejtësia në Kosovë, përfshirë edhe atë ndërkombëtare, ka dështuar që urdhërdhënësit e atentatit ndaj meje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”.

“Por pas dy dekadash, një drite po shihet në fund të tunelit. Gjykata Speciale është e vetmja shpresë për zbardhjen e atentatit ndaj meje dhe gjitha vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

E ne, e kemi për obligim që të punojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë, shtet për të cilin është derdhur shumë gjak”./Telegrafi/

Exit mobile version