Të shtënat në një klub homoseksualësh kanë tronditur qendrën e Orlandos në Florida, ku policia bëri të ditur se flitet për të paktën 20 persona të vdekur pas të shtënave nga agresori, që sipas disa raporteve jozyrtare, u mbyll për pak kohë në ambientet e barit me disa pengje.
Policia flet gjithashtu edhe për 42 të plagosur, ndërsa edhe autori i ngjarjes ka vdekur sipas saj. Burri ishte i armatosur me dy pistoleta e kishte me vete dhe një lloj mekanizmi shpërthyes, i hedhur në erë më pas nga skuadrat speciale në mënyrë të kontrolluar. Në momentin e sulmit mendohet që në barin tepër të frekuentuar të natës të ndodheshin rreth 100 vetë, transmeton TCH.
Dëshmitarë në vendngjarje thonë se kanë parë trupa të pajetë të dergjen në dyshemenë e klubit.
“Hyri me forcë e pastaj filloi të qëllonte si i çmendur”, rrëfejnë ata. Efektivët e policisë i janë përgjigjur me zjarr të shtënave të agresorit, por nuk dihet ende nëse kanë arritur të hyjnë në bar.
Alarmin e dhanë vet viktimat e episodit të dhunës përmes mesazheve të dëshpëruara për ndihmë në rrjetin social “Twitter”. Po nëpërmjet këtij të fundit, policia këshilloi kalimtarët të qëndronin larg, ndërsa shumë nga përdoruesit nuk kanë ngurruar të shpërndajnë mesazhe për çfarë po ndodhte në “Pulse Club”.
Në faqen e tij të “Facebook”-ut u shfaq shumë shpejt postimi: Dilni të gjithë nga “Pulse” e mbathjani me të katra!!! Pamje filmike të shpërndara në mediet sociale tregojnë sesi po u jepet të plagosurve ndihma e parë në rrugë.
“Nuk kam parë kurrë kaq trupa në tokë”, shkroi në “Twitter” një nga personat që ndodheshin në klub në momentin e ngjarjes. “Fale Zotit, – shton ai, – unë dhe miqtë e mi nuk morëm ndonjë plumb!!!”.