Konfindustria Albania 2Industrialistët italianë të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, do të përfaqësohen me shoqatën e tyre, Konfindustria Albania, me krijimin e së cilës, plotësohet projekti i Konfindustrisë italiane për të krijuar përfaqësi në të gjitha vendet e zonës ballkanike.
Në takimin e organizuar me rastin e firmosjes së akt-themelimit, mori pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Financave Arben Ahmetaj, ministrja e Ekonomisë Milva Ekonomi, përfaqësues të lartë të Konfindustrisë, si dhe sipërmarrës italianë, me aktivitet në Shqipëri.
Kryeministri e nisi fjalën me italianizmin e Shqipërisë, për të cilën tha se nuk është vetëm në fushën ku luan kombëtarja shqiptare, por është në fushën e të gjitha marrëdhënieve të Shqipërisë me botën, marrëdhënie që fillojnë gjithmonë nga Italia, jo vetëm sot, por historikisht. Rama u shpreh se, Italia është partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë dhe se në Shqipëri ka 2600 ndërmarrje italiane ose italo-shqiptare të regjistruara, që punojnë në të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare.
“Por ka edhe një të dhënë të rëndësishme për të gjithë ne, që midis 2013-2015, numri i italianëve që kanë vizituar Shqipërinë, është rritur me 40%, gjë që do të thotë se jemi në një moment veçanërisht të rëndësishëm të marrëdhënieve të përzemërta që na lidhin prej shumë vitesh, jo vetëm që nga vitet pas rënies së regjimit komunist, por edhe më përpara”.
Kryeministri u shpreh se ka rreth 20 mijë italianë që jetojnë në Shqipëri, por mund të jenë edhe më shumë, sepse ka shumë hapësirë në mënyrë që të vazhdojmë, ta rrisim së bashku këtë vend dhe të krijojmë mundësinë për më shumë ndërmarrje italiane.