Site icon Telegrafi

2 Korriku do të rikthehet fuqishëm në elitë

Skuadra prishtinase është pjesë e Ligës së Parë, dhe për dallim nga skuadra tjera, kjo skuadër njihet për zbulimin e talentëve të futbollit, madje nga ky klub kanë dalë emra të njohur të futbollit që sot jo vetëm që luajnë në skuadrat elitare të Kosovës, por edhe në klubet e huaja.

I pari i bankinës së 2 Korrikut, i ka thënë KosovaPress-it se skuadra e tij është e gatshme për sfidat e reja.

Thaçi thotë se skuadra e tij në edicionin e ri do të paraqitet kryesisht më futbollistë të rinj, sepse sipas tij, nga klubi janë larguar disa nga lojtarët kryesor që e kanë bartur barrën e ekipit në kampionatin e kaluar.

Ai thekson se 2 Korriku nuk ka skuadër që mund të jetë pjesë e garës për majat e tabelës, por ai sipas Thaçit, të përzgjedhurit e tij do t’ia bëjnë hyzmetin garës për rikthim në Superligë.

“Realisht 2 Korriku nuk ka potencial që të jetë skuadër pretendente për rikthim në Superligë. Nuk mundet një ekip më lojtarë 17 vjeçar të jetë pretendente për kreun e tabelës, megjithatë, ne do të punojmë në këtë drejtim dhe do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira”, ka thënë Thaçi.

“Kemi krijuar një sistem mjaft të mirë të punës. Jemi skuadër solide në Ligën e Parë, dhe mendoj se me punën që po bëhet, 2 Korrik në një të ardhme të afërt do të rikthehet në Superlige dhe do të jetë një skuadër kompakte”, tha ai.

Thaçi në garën për majat e tabelës favorizon Llapin, Gjilanin, Lirinë dhe Dukagjinin.

“Mendoj se Llapi ka bërë disa përforcime gjatë kësaj verë dhe bashkë me Gjilanin, Lirinë, por edhe Dukagjinin, do të jenë skuadrat që do të luftojnë në garën për inkuadrim në elitën e futbollit tonë”, theksoi Thaçi.

Ai beson se edhe 2 Korriku mund të jetë pjesë e garës së “nxehtë” për kreun e tabelës. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version