Nëntëmbëdhjetë ndërtesa u “zhduken” në një hapësirë kohore prej vetëm 10 sekondash pasi ishin shkatërruar nga një shpërthim i kontrolluar në Kinë.
Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për blloqe apartamentesh, të cilat ishin deri në 12 kate të lartë, në qytetin Wuhan, të cilat ua kanë liruar vendin një distrikti të ri biznesesh, duke përfshirë dhe një rrokaqielli 707 metra të gjatë.
Bëhet e ditur se ekspertët e kanë pritur që të bie terri, para se të realizonin shkatërrimin e 150 mijë metrave katrorë të qelqit, betonit dhe çelikut, për vetëm 10 sekonda – banorët e këtyre ndërtesave dhe zonave përreth ishin larguar nga javë më parë.
Zona është në afërsi të qendrës së qytetit dhe kontraktorët kanë siguruar se gjatë shkatërrimit nuk do të dëmtonin rrugët afër, një qendër tregtare aty afër dhe as një nënstacion të energjisë elektrike.
Sipas autoriteteve, janë dashur rreth 5 tonë eksploziv, të vendosur në rreth 120 mijë lokacione. /Telegrafi/