Demonstruesit e lëvizjes së “Jelekëve të Verdhë” dolën në rrugët e Parisit dhe në ato të pjesëve të ndryshme të Francës në javën e tetë me radhë në të cilën shprehin revoltën e tyre ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron.
Marshi në rrugët e Parisit filloj qetë, por më vonë u shndërrua në dhunë e cila shpërtheu në kohën kur protestuesit filluan të hedhin gurë mbi postbllokun e policisë mbi lumin Sena.
Si kundërpërgjigje, policia përdori gaz lotsjellës në mënyrë që të ndalojë protestuesit në përpjekjen për të arritur te ndërtesa e Parlamentit.
Në Bulevardin Saint-Germain, protestuesit u vunë zjarr disa automjeteve.
Përleshje mes demonstruesve dhe policisë kishte edhe në qytetin e Nantit, ku të paktën një person u plagos rëndë.
Sipas të dhënave të policisë franceze, në demonstratat e fundit kanë marrë pjesë rreth 25 mijë njerëz, nga të cilët rreth 3,500 në Paris dhe si pasojë e dhunës, policia thotë se ka arrestuar 18 persona.
Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “Jelekët e Verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin e Parisit, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në protesta gjatë periudhës 17 nëntor-17 dhjetor kanë humbur jetën të paktën 10 persona, mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur, mbi 4,500 janë ndaluar dhe 216 janë arrestuar. /Telegrafi/