Telegrafi

17 milionë euro për komandë qendrore dhe monitoruese të energjisë

Të pranishëm në ceremoninë solemne ishin Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, zv.Ministri i Energjisë dhe Minierave, Blerim Rexha, këshilltari ekonomik i ambasadës franceze në Kosovë Bruno Zimmer, si dhe përfaqësueses të implementuesve të projektit.

Projekti kapital në vlerë totale prej 17.2 milionë Euro, është financuar plotësisht nga Buxheti i Kosovës. Implementimi i projektit do të fillojë në muajin Janar të vitit 2009, dhe në total do të zgjasë 33 muaj.

Me projektin për instalimin e sistemit komandues dhe monitorues-SCADA/EMS dhe Telekomi, do të rritet siguria dhe besueshmëria e Sistemit Elektroenergjetik (SEE) të Republikës së Kosovës duke automatizuar sistemin elektrik si dhe do të mundësohet komandimi, monitorimi dhe në përgjithësi menaxhimi më efikas i SEE nga Qendra Dispeqerike Nacionale në KOSTT.

Drejtori Menaxhues i KOSTT, Fadil Ismajli, duke folur për rëndësinë e projektit, theksoi se “me realizimin e këtij projekti përmbushen kushtet për anëtarësimin e KOSTT në UCTE (Organizata për Koordinimin e Transmisionit të Energjisë Elektrike në Evropë) si dhe organizatat e tjera pasuese të themeluara për punë sinkrone të sistemit evropian”.

Po ashtu, ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, foli mbi rëndësinë që ka zhvillimi i rrjetit të transmisionit të energjisë elektrike në Kosovë për ti paraprirë zhvillimit të mëtutjeshëm të gjenerimit të energjisë elektrike, sidomos me ardhjen e Termocentralit të ri Kosova e Re. /Telegrafi/