Telegrafi

16 vjet Marrëveshje e Ohrit

Sot shënohet 16 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni dhe u bë kornizë për bashkëjetesë ndër etnike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Negociatat filluan në Shkup dhe më pas vazhduan në Ohër, ku parafinimi i dokumentit përfundoi më 10 gusht. Tre ditë më vonë,më 13 gusht të vitit 2001, në rezidencën presidenciale në Vodno të Shkupit, marrëveshjen e nënshkruan kryetari i Republikës së Maqedonisë Boris Trajkovski, kryetari i OBRM-PDUKM-së Ljubço Georgievski, kryetari i PPD-së Imer Imeri, kryatari i LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe ai i PDSH-së Arben Xhaferi.

Nënshkrues të marrëveshjes, në cilësi të garantuesve ishin përfaqësuesit special të BE-së dhe SHBA-ve, François Léotard dhe James W. Pardew. Përveç nënshkruesve në negociata morrën pjesë edhe Javier Solana, përfaqësues i lartë i BE-së për siguri dhe politikë të jashtme dhe Pieter Feith, përfaqësues i SHBA-ve, si dhe shumë ekspertë të drejtësisë, si profesorët Vllado Popovski dhe Ljubomir Fërçkovski.

Me rastin e 16 vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes, nën patronazhin e zëvendës kryeministrit të Republikës së Maqedonisë, të angazhuar me implementimin e marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika dhe Kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, sonte në Shkup do të mbahet ceremoni./Telegrafi/