Policia e shtetit i “druhet” incidenteve apo skenarëve të dhunshëm, gjatë protestës së lajmëruar nga opozita paraditen e së shtunës.
Ndaj për këtë arsye, plani i masave që është hartuar nga uniformat blu është më i përforcuar se gjatë protestave të fundit që ka zhvilluar opozita.
Të paktën 1500 efektivë pritet të jenë në terren , për të “blinduar”, ministrinë e Brendshme dhe Kryeministrinë, dy institucionet ku do të zhvillohet manifestimi. Policia e shtetit do të kalojë në gatishmëri të përforcuar që prej mbrëmjes së të premtes ndërsa në gatishmëri do të kalojë po ashtu edhe policia e burgjeve dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe ato të Renea-s.
Nga ana tjetër policia rrugore do të bllokojë dhe devijojë qarkullimin që prej mëngjesit të së shtunës në të gjitha akset që të çojnë drejt sheshit “Skënderbej” dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Po ashtu, autobuzët dhe furgonët që do vijnë nga rrethet nuk do lejohen të futen në kryeqytet. Parkimi i tyre do disiplinohet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dhe Qytetin Studenti. Në planin e masave për mbarëvajtjen e protestës së opozitës janë përfshirë edhe shërbimet inteligjente ndërkohë që burime nga policia thonë se po mbahen në vëzhgim elementë të caktuar me precedentë penal. /TCh/Telegrafi/