Amdiu është 15 vjeç, por nuk shkon në shkollë. Kushtet e rënda familjare e kanë penguar atë të ulet në bankat shkollore. Ai ka edhe dy vëllezër të tjerë në moshë shkollore që gjithashtu nuk e ndjekin mësimin. Babai i tyre shpjegon se nuk kanë kushte për t’i çuar fëmijët në shkollë, me çka paracaktohet fati i tyre për të qenë analfabetë njëjtë sikurse paraardhësit e tyre.
“Unë quhem Amdi, kam 15 vjet dhe nuk shkoj në shkollë. Dëshiroj të shkoj por nuk kemi kushte… nuk kemi se si të shkojmë nga këtu. Për të shkuar në Shutkë duhet të kesh para, të kesh rroba.. ne nuk kemi asgjë”, thotë Amdiu njofton TV21.
“Unë kam 5 fëmijë të moshës 15, 13, 9 dhe dy nga 5 vjet. Asnjëri nga këto nuk vijon shkollën. Së pari, nuk kemi vendbanim, nuk kemi rroba për t’i veshur… dhe nuk kemi se si të shkojnë në shkollë”, shprehet babai.
Organizata joqeveritare “Ombrella” me anë të komunikimit me institucionet kompetente bën përpjekje për t’iu ardhur në ndihmë këtyre fëmijëve. Latifa Shikova nga kjo organizatë thotë se po punon me disa grupe fëmijësh, disa prej të cilëve nuk kanë as dokumentacion të rregullt.
“Ne si organizatë joqeveritare në bashkëpunim me disa institucione, vazhdimisht përpiqemi të gjejmë zgjidhje të përbashkët, qoftë ajo hapja e disa paraleleve. Kemi fëmijë nga mosha 6 vjeçare deri në moshën 17 vjeçare të cilët kurrë nuk kanë shkuar në shkollë dhe vërtet kjo është për keqardhje”, shprehet ajo.
Për këtë çështje iu drejtuam Ministrisë së Arsimit. Nga atje, këshilltari Safet Neziri na shpjegoi se problemi me 150 fëmijët që nuk vijojnë mësim duhet të eliminohet dhe se vazhdimisht përpiqen për të gjetur zgjidhje.
Sipas Ligjit për arsim fillor dhe të mesëm, prindërit që nuk i dërgojnë fëmijët në shkollë fillore dhe të mesme do të ballafaqohen me dënim./Telegrafi/