Telegrafi

15 muaj burg për tentim vrasje

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor D.M për tentim vrasjen që ka ndodhur më 11 shtator 2018 në Pejë.

Sipas njoftimit për media, D.M është dënuar me 15 muaj burg ndërsa dy të dyshuarit tjerë A.I dhe F.K janë liruar nga akuza për lëndim të lehtë trupor.

“D. M është shpallur fajtor pasi që më 11 shtator 2018 rreth orës 22:17 minuta, në Pejë, për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të pandehurit D, dhe të dëmtuarit A, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin A.B, në atë mënyrë pasi që i dëmtuari A, gjersa ishin brenda kafiterisë, papritmas me grushta e godet të pandehurin D, në pjesën e nofullës së djathtë dhe me vrap fillon të largohet nga lokali. Pas tij vrapojnë edhe i pandehuri A dhe i pandehuri D i cili ka bërtitur me zë të lartë “ndal, kush je”. Mirëpo A vazhdon të vrapojë dhe në atë moment i pandehuri, nga çanta e tij të cilën e mbante në krah ka nxjerrë pistoletën e tij duke shtënë dy herë në drejtim të dëmtuarit me ç’rast me një predhë e godet në pjesën e sipërme të kokës, dhe pasi i dëmtuari vrapon dhe disa metra dhe rrëzohet i pandehuri e godet edhe dy herë me qykë të pistoletës në pjesën e epërme të kokës, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa i dëmtuari dërgohet në spital”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/