Futbollistët shqiptarë nëpër botë edhe këtë javë kanë treguar paraqitje të mira me skuadrat e tyre.
Disa nga ta kanë arritur edhe të shënojnë gola të rëndësishëm për skuadrat e tyre, ku kësaj radhe i vetmi që ka shënuar dy gola ka qenë mesfushori Liridon Krasniqi me skuadrën e tij Kedah.
Këtë javë stafi i sportit të portalit Telegrafi ka përzgjedhur 11 futbollistë që kanë kaluar formën më të mirë me një formacion sulmues 4-3-3.
Portierë:
Portieri i Kombëtares shqiptare, Alban Hoxha ka qenë vendimtar në barazimin e Partizanit tek Flamurtari i Vlorës duke pritur disa gjuajte në mënyrë spektakolare.
Hoxha këtë javë ka zënë vendin e titullarit para Samir Ujkanit dhe Orges Shehit.
Mbrojtësit:
Në krahun e djathtë duket i pakrahasueshëm talenti Florent Hadergjonaj, i cili këtë javë ishte pjesëmarrës në tre golat e Young Boysit, duke asistuar në golin e pestë. Hadergjonaj me Young Boysin shënoi fitore të thellë 7-1 ndaj Luganos, ndërsa kosovari ishte në formacionin më të mirë të javës edhe në Zvicër.
Qendra e mbrojtjes është nga dy lojtarë me të ardhme. Shkodran Mustafi ishte fantastik ndaj Sevillës në fitoren e Valencias 2-1. Në sfidën e zhvilluar në ‘Mestalla’, mbrojtësi nga Gostivari luajti 90 minuta dhe u ndëshkua me karton të verdhë. Në anën tjetër paraqitje fantastike ka bërë edhe mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, Lum Rexhepi në kampionatin Finlandez me Helsinkin në fitoren 2-1 ndaj VPS-së, ndërsa ferizajasi u vlerësua si mbrojtësi më i mirë në ndeshje.
Në krahun e majtë të mbrojtjes është anëtari i Kombëtares së Shqipërisë, Ansi Agolli i cili sa më i vjetër aq më i mirë. Agolli ishte titullar si gjithnjë me Qarabagun në fitoren 4-0 ndaj Kapaz dhe është në rrugë të mirë për tu shpallur kampion.
Mesfushorët:
Blerim Xhemaili ishte vendimtar për skuadrën e tij Genoa. Tetovari shënoi golin e vetëm për Genoan në fitoren 1-0 si mysafirë tek Sassuolo dhe në fund u zgjedh lojtar i ndeshjes. Ndërkohë paraqitje të jashtëzakonshme ka bërë këtë javë edhe Taulant Xhaka me Baselin në derbi 2-2 ndaj Zurichut. Ashtu si Hadergjonaj edhe Xhaka u përfshi në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Liridon Krasniqi ka vazhduar shkëlqimin në Malajzi ku këtë javë shënoi dy gola për ekipin e tij Kedah në barazimin 2-2 ndaj Penang. Krasniqi në fund të ndeshjes u shpall si lojtar i ndeshjes që ishte hera e tretë radhazi për të, ndërsa padyshim ishte futbollisti shqiptar i javës.
Sulmuesit:
I kanë mjaftuar vetëm 30 minuta lojë për të treguar vetën. Talenti shqiptar, Endri Çekiçi u fut në ndeshje në minutën e 62-të për të shënuar gol në të 80-tën për skuadrën e tij Lokomotiva e Zagrebit ndaj Belupos në fitoren 2-0.
Armando Sadiku vazhdon t’i mbajë gjallë shpresat e Vaduzit për mbijetesë në elitën e futbollit zviceran. Sadiku këtë javë ishte vendimtar pasi shënoi një gol dhe asistoi tek një tjetër në fitoren 3-0 të Vaduzit ndaj St Gallenit.
Një futbollist tjetër që po shkëlqen është Arbër Zeneli që shënoi golin e dytë radhazi në elitën e futbollit holandez. Zeneli qëndroi gjatë 90 minutave në fushë dhe shënoi gol për Hereneevenin në fitoren 4-2 ndaj AZ Alkmar. /Telegrafi/
Formacioni i javës i futbollistëve shqiptar në botë 4-3-3.
Alban Hoxha, Florent Hadergjonaj, Shkodran Mustafi, Lum Rexhepi, Ansi Agolli, Taulant Xhaka, Blerim Xhemaili, Liridon Krasniqi, Endri Çekiçi, Armando Sadiku, Arbër Zeneli.