Pëllumbi “baksuz” është ngujuar në baltën e portit të qytetit gjerman Husumer. Atë e kanë shpëtuar madje 14 kalimtarë, zjarrfikës dhe policë.
“Nëpër port po shëtitshin disa kalimtarë. Në baltë e kanë vërejtur pëllumbin. Ai po tentonte të nxirrej, mirëpo ishte i pafuqishëm. Prandaj kalimtarët kanë thirrur shpëtimtarët”, ka treguar një dëshmitar.
Shumë shpejt kanë arritur dy policë. E kanë vërejtur se nuk mund të depërtonin deri tek pëllumbi, prandaj kanë thirrur kolegët e tyre përgjegjës për mbrojtjen e ujërave. Njëri prej tyre, 42-vjeçari Holger Cohrs guximshëm ka hyrë në baltë. Ka rënë në gropë dhe nuk ka mundur të vazhdojë tutje. Në ndihmë të shpëtimtarit dhe pëllumbit më pas u kanë ardhur edhe zjarrfikësit.
“Nga ura me anë të vinçit e kemi lëshuar kabinën. Polici ka hipur në të, derisa në dorë po mbante pëllumbin. Pantallonat i ishin zhveshur pasi që i ishin ngujuar në baltë. Në fund kemi arritur që atë dhe zogun t’i ngjisim në urë”, ka thënë shefi i zjarrfikësve Peter Post për gazetën e njohur gjermane “Bild”.
Pëllumbin më vonë e kanë pastruar dhe e kanë lënë të lirë. Taksapaguesve gjermanë shpëtimi i këtij pëllumbi u ka kushtuar 1.500 euro.