Sipas dëshmitarëve, që i kishin shpëtuar kësaj masakre, atë ditë, rreth orës 05.30, ushtarët, policët e paramilitarët serbë, pasi e kishin futur në rrethim të hekurt tërë fshatin, kanë hyrë nëpër shtëpitë e fshatit, i kanë bastisur e demoluar, transmeton KP.
Popullata, e gjendur para kësaj katrahure, kishte filluar të arratisej në drejtime të ndryshme ose të strehohej ku mundej. Atëherë ushtarakët e paraushtarakët dhe policët serbë vranë e masakruan kë mundën dhe ku mundën.
Atë ditë u vranë e masakruan, Agron dhe Sejdi Rama nga Smolica e Gjakovës, Gëzim Ademaj nga Ratisha e Deçanit, Agush Gjoci nga Raushiqi i Pejës, Agim Zeneli dhe Luan Islami nga Shqiponja e Dushkajës, Sahit Krasniqi nga Ratkoci i Përdrinit, Daut Zagraxha nga Banja e Burimit, Haxhi Lipjani nga Kleçka e Malishevës, Valon Gashi nga Buçani i Pejës, Vesel Avdyli nga Drenoci i Klinës, Emrush Çeta nga Turbovci i Burimit, Bahtjar Morina nga Lubizhda e Malishevës dhe Naim Dreshaj nga Vrella e Burimit. Që të gjithë ishin ushtarë nga Zona Operative e Dukagjinit dhe ajo e Pashtrikut.
Në mëngjesin e 29 janarit forcat kriminale serbe në Rogovë në shtëpitë e tyre masakrojnë: Rrustem Morinën me 3 djemtë Selmanin, Nysretin dhe Mehmetin, pastaj Ibrahim Kryeziun, Adem, Rifat dhe Zyber Shalën.
Ndryshe, në janar ka ndodhur edhe masakra në Reçak të Shtimjes, ku u vranë e u masakruan mizorisht 45 shqiptarë. Kurse, Masakra e Rakovinës ndodhi më 24 janar, rreth orës 21.00, në afërsi të urës së Rakovinës në rrugën magjistrale Prishtinë – Gjakovë.
Policia serbe, pa asnjë pretekst, pati vrarë me armë automatike nga autoblinda Shaban T. Kelmendin (45) dhe fëmijët e tij Haxhiun (11) e Besimin (12) nga Rakovina dhe Hysen e Sanije Kurtin (30) nga Cërmjani, që ishin mysafirë të Shabanit dhe po ktheheshin me traktor në Cërmjan. /Telegrafi/