Site icon Telegrafi

14 vjet në NATO, Ambasada e SHBA-së: E vlerësojmë partneritetin e fortë me Shqipërinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Tiranë ka kujtuar 14 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ambasada e SHBA vlerëson partneritetin me Shqipërinë, duke e konsideruar atë si një anëtare vendimtare të Aleancës e cila ka treguar përkushtim në promovimin e paqes dhe sigurisë.

“Sot bëhen 14 vjet që kur Shqipëria u anëtarësua në NATO më 1 Prill 2009. Shqipëria ka qenë që atëherë një pjesëmarrëse aktive në përpjekjet e mbrojtjes së përbashkët dhe stabilitetin rajonal. Si një anëtare e rëndësishme e NATO-s, Shqipëria ka treguar përkushtimin e saj për të çuar përpara paqen dhe sigurinë dhe ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO. Si një aleat dhe partner krenar, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të fortë me Shqipërinë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt synimeve tona të përbashkëta për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë”, kanë shkruar nga ambasada e SHBA-së, në Tiranë. /Telegrafi/

Exit mobile version