Telegrafi

14-vjeçarja Astera Tuhina që e përfaqëson Kosovën U-20: Tifozët, motivi ynë në Evropian

Astera Tuhina (Foto: basketbolli.com)

Federata e Basketbollit e Kosovës për herë të parë organizon një Kampionat Evropian të Divizionit B, derisa vashat e Kosovës U-20, debutojnë në shtëpi, në një ngjarje kaq madhore.

Synimi i tyre është të fitojnë përvojë nga ky Evropian. Mosha mesatare në ekipin e Kosovës është 17-vjeç dhe për këtë arsye, vashat e Kosovës kanë nevojë për përkrahje. Madje, Astera Tuhina është vetëm 14-vjeçare, por luan me Kosovën U-20.

“Tifozët janë lojtari ynë i gjashtë në parket. Ne kemi një grup shumë të reja të lojtareve dhe synimi ynë është të fitojmë përvojë. Ne duam të bëjmë paraqitje të mira dhe ndihma e tifozëve është shumë e rëndësishme për ne. Me ndihmën e tyre e kemi më lehtë edhe ne në fushë”, thotë Tuhina për faqen zyrtare të FBK-së.

Astera Tuhina (Foto: basketbolli.com)

Ajo foli edhe për përgatitjet me Kosovën U20. “Jemi munduar të përgatitemi për Evropianin që zhvillohet në shtëpinë tonë. Jemi në grup me Turqinë dhe Rumaninë, ku do ta kemi shumë vështirë, megjithatë, angazhimi ynë nuk do të mungojë në fushë”, shtoi tutje 14-vjeçarja që luan me Spanjën.

Evropiani zhvillohet nga 3 deri më 11 gusht në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë dhe Palestrën ‘1 Tetori’. “Ky Evropian është shumë i rëndësishëm për basketbollin, sidomos atë të femrave. Duhet t’i përkrahim të gjithë që të merren me basketboll. Andaj ju bëj thirrje të gjithëve që të vijnë të shohin ndeshje shumë cilësore”, përfundoi Astera.

Në këtë Evropian marrin pjesë 12 kombëtare, që do të luftojnë për trofeun shumë të çmuar.