Telegrafi

“14 viktima, 0 ditë burg”, familjarët e viktimave në spitalin modular në Tetovë sot protestuan në Shkup

Familjarët e viktimave në zjarrin e spitalit modular në Tetovë, sot vazhduan me protesta në kryeqytet, Shkup.

Ata sërish kërkuan që të ketë proces të ri gjyqësor, në të cilin do të përfshihen fajtorët e vërtetë. Gjithashtu familjarët kërkuan shkarkimin e disa prokurorëve që kanë punuar në lëndën për zjarrin në spitalin modular, në krye me shefin e Prokurorisë, Ljubomir Joveski.

“Në këtë shtet nuk respektohet më e shenjta, jeta njerëzore. 14 viktima, 0 ditë burg. Nga kjo ndërtesë nuk pamë as D nga drejtësia. Nga kjo ndërtesë po shkatërrohen shpresat për jetë dinjitoze. Besimi në sistemin e drejtësisë është zero, jemi dëshmitarë të një papërgjegjësia totale me sundim kriminal. Është skandal anashkalimi i ekspertizës gjermane për shkaqet e zjarrit në spitalin modular”.

“Ne si familjarë kërkojmë shkarkim të prokurorit Lubomir Joveski, bashkë me prokurorët tjerë, Besir Aliu, Hanefi Ahmeti, Zorica Pavlloviç dhe Dejan Petreski, të involvuar në fshehjen e krimit. Hapja e procedurës gjyqësore për shkaqe të zjarrit, ku në bankën e të akuzuarve do të ulen udhëheqësit e Ministrisë së Shëndetësisë si porositës dhe kompania Brako si fitues i tenderit. Rigjykim i vendimit paraprak nga Gjykata e Tetovës”, tha mes tjerash Ibin Emshi, familjar.

Ai shtoi se nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, do të detyrohen ta ndryshojnë formën e protestës së tyre paqësore./Telegrafi/