Vrasja e Valdet Kelmendit ishte e 14 -ta midis dy familjeve, Kelmendi dhe Elshani, të cilat ka vjet që janë në “gjak”. Kështu së paku thonë qytetarë të Pejës dhe dëshmitarë të rastit.
Ata prapa kamerave shprehen se vrasja e fundit dhe vrasjet e tjera që kanë ndodhur në Pejë, po e njollosin këtë qytet.
Një taksist që thotë se e kishte parë nga afër ngjarjen: tregon se vrasësi kishte shtënë me automatik nga vetura e tipit Jeep Gran Chiroke, pa e hapur dritaren fare.
Sipas tij, vrasësi e ka porositur familjen e të vrarit se nëse kërkon hakmarrje, do t’i vrasë edhe anëtarë të tjerë të familjes Kelmendi.
Mirëpo, në polici thonë se ende nuk i kanë të njohura motivet e vrasjes.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Xhevat Ibra, deklaron se janë duke e hetuar rastin.
E, bashkë me “Larën”, siç ishte i njohur viktima Valdet Kelmendi, ka humbur jetën edhe 73-vjeçari Fazli Bajraktari, ndërsa janë plagosur edhe gjashtë persona të tjerë, të cilët kishin rastisur në kafene.
Ferat Dervishi nga Prizreni, i cili ishte lëshuar menjëherë nga spitali, ka treguar nëpërmjet telefonit ngjarjen si kishte ndodhur.
"Skenat që kanë ndodhur dje, kanë qenë skena si të filmave. Më vjen keq për ata që kanë pësuar dhe më vjen keq për të gjithë ata që kanë marrë lëndime! Unë kam qëlluar rastësisht aty dhe e kam parë kur është ndalur xhipi dhe ka qëlluar me kallash. Ka qenë një skenë e keqe. S’di çfarë të them tjetër".
Prej tyre vetëm edhe dy gjenden në spitalin rajonal të Pejës, Valon Mala nga Strellci dhe Besnik Lajçi nga Peja.
Ndërkohë, familja Kelmendi i ka dhënë lamtumirën e fundit djalit të vet. /KTV/Koha/