Komuna e Prishtinës ka njoftuar të martën se 14 Qendra të Mjekësisë Familjare në kryeqytet janë furnizuar me vaksinën kundër gripit sezonal.
Sipas njoftimit, në administrim kryeqyteti aktualisht ka 6 mijë e 700 doza të kësaj vaksine dhe qytetarët mund të vaksinoheni çdo ditë pune.
“Të dashur qytetarë, ju ftojmë që të vaksinoheni, sidomos të moshuarit, personat me sëmundje kronike. fëmijët nën moshën pesë vjeçare dhe gratë shtatzëna”, thuhet në komunikatën për media.
Ndryshe, vaksinimi kundër gripit sezonal në Kosovë ka nisur një ditë më parë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se fillimisht duhet të vaksinohen personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët mbi 6 muaj me imunitet të dobësuar. /Telegrafi/