Telegrafi

135 vjetori i Lidhjes së Prizrenit pa shtatoret e Ymer Prizrenit e Avdyl Frashërit

Kanë kaluar 14 vjet nga përfundimi i luftës, ndërsa shtatorët e dy themeluesve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të dëmtuara nga forcat serbe, nuk janë rikthyer në bazamentin e tyre.

Përgjegjësi i Kompleksit të Lidhjes Shqiptare, Parim Kosova thotë se shtatoret e dëmtuar të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit, Ymer Prizreni e Abdyl Frashëri , po qëndrojnë në muzeun e Lidhjes.

Ai thotë se kërkesat për ngritjen e shtatoreve të reja janë bërë disa herë në adresë të pushtetit qendror dhe lokal, por asgjë konkrete nuk është arritur, prandaj edhe përkundër dëshirës, përvjetori i 135 i Lidhjes së Prizrenit do të kremtohet pa to.

“Për zgjerimin e kompleksit dhe rregullimin e kompozicionit skulptural janë bërë kërkesa disa herë, madje është dorëzua edhe projekt- propozimi për formimin e këshillit multidiciplinor shkencor, në të cilin do të përfshiheshin edhe skulptorë, por politikës në Prizren nuk i ka konvenuar kjo dhe është anuluar nga kryeministri formimi i tij. Kemi kërkuar që për vitin jubilar LSHP të merret nën përkujdesjen e dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, të formohet këshilli dhe të zgjidhet çështja e kompozicionit skulptural, por po dalin gjëra të reja dhe kjo çështje po prolongohet”, thekson Parim Kosova.

Rikthimi ose jo në bazamentin e vetë të shtatoreve është në kompetencë të Qeverisë së Kosovës, thotë Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, Sadik Paçarizi, ndonëse nuk heziton të kritikojë këshilltarët e Kuvendit të Prizrenit, për mos vënien në diskutim të kësaj çështjeje të rëndësishme për këtë qytet historik.

”Komuna duhet të involvohet në mënyrë që të kthehen bustet në atë pjesë, por ngecja është edhe e asamblesë e cila nuk e merr një iniciativë të tillë apo edhe nuk e diskuton fare këtë çështje. Ka propozime që bustet të vendosen edhe në lokacione të tjera, por i mbetet Asamblesë ta thotë fjalën e vet”, theksoi Paçarizi, për Radio Kosovën.

Mirëpo edhe përkundër mungesës së shtatoreve të Ymer Prizrenit dhe Avdyl Frashërit, Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbetet një nga objektet e trashëgimisë kulturore më të vizituara. Vetëm gjatë vitit që shkoi ky kompleks ka prit e përcjellë mbi 50 mijë vizitorë, ndërsa përgjegjësit besojnë se këtë vit numri do të rritet pasi që investimet nuk kanë të ndalur. /Telegrafi/