Telegrafi

13 vjet nga vrasja e heroit Enver Zymeri, PDK dhe AAK vlerësojnë lartë kontributin e tij

Sot shënohet 13-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri.

Ai u vra 13 vite më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, transmeton Telegrafi.

Zymeri u kujtua edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët thonë se ai ai u vra derisa ishte duke e mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit.

“Me nder e krenari, sot kujtojmë policin Enver Zymeri, i cili 13 vjet më parë ra në krye të detyrës duke mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Ai është Hero i Kosovës së Pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do të përkujtohet ndër breza, si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit. Prandaj sot, në këtë Ditë Memoriale, nderojmë jetën dhe veprën e Heroit Enver Zymberi dhe të gjithë Policëve të Rënë në Detyrë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Gjithashtu, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka kujtuar atë, duke thënë se sot përkujtohet rënia heroike të Enver Zymerit, pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i Policisë së Kosovës.

“Jeta dhe përditshmëria e Enverit, Afrimit dhe të gjithë atyre që bien për atdhe, është një mision i pandalshëm, i cili ushqehet nga vizioni se kushdo që prek territorin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, do të përballet me fuqinë në rritje, të cilën e ndjejnë vetëm ata që kanë dhuntinë që, kur e kërkon atdheu, të gjenden në pikat më të larta të shërbimit me dinjitet”, thotë ai përmes një postimi në Facebook.

Tutje, ai ka shtuar se “uniforma e policit që veshi Enveri, shembulli i tij dhe i heronjve të tjerë, në luftë e në paqe, janë modeli mbi të cilin lindi dhe frymon ky shtet”.

“Falënderues për shërbimin dhe heroizmin e tyre”./Telegrafi/