I strukur në ballkonin e apartamentit të tij në Nairobi, 13-vjeçari Yassin Hussein Moyo vështronte me kuriozitet patrullimin e policisë në rrugë, afër kishte nënën dhe motrat e tij.
Ora policore për shkak të coronavirusit kishte filluar, dhe në atë moment një plumb goditi stomakun e tij.
Babai i tij, Husein Moyo Molte, gjendej në shtëpinë e një shoku të afërt dhe po shikonte lajmet, në ato çaste dëgjoi të shtënat, para se vajza e tij të bërtiste: “Yasin u qëllua, ne ishim në ballkon, dhe policia drejtoi pishtarin drejt nesh, pastaj qëlluan”.
Fqinjtë e dërguan Yassin në një spital në Nairobi, ku ai më vonë vdiq nga plagët e tij, ndërsa sipas babait të tij, policët ishin fajtorë për këtë incident i cili ndodhi më 30 mars.
“Fëmija im u qëllua në ballkon në shtëpi, ai nuk ishte as në rrugë”, tha Husein.
Vendimi i orës policore në Kenia, hyri në fuqi në mbarë vendin më 27 mars në një përpjekje për të frenuar përhapjen e coronavirusit, përcjell Telegrafi.
Grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” tha për CNN se 16 persona janë vrarë nga oficerët e policisë që prej fillimit të këtij vendimi.
Ndërkohë Inspektori i Përgjithshëm i policisë në Kenia, u zotua të hetojë vdekjen e Yassin, ndërsa Presidenti, Uhuru Kenyatta, kërkoi falje publikisht për përdorimin e dhunës së tepërt nga policia. /Telegrafi/