Site icon Telegrafi

13-vjeçari në Bilisht me biçak në shkollë, ia gjen mësuesja në çantë

Një 13 vjeçar, nxënës në shkollën 9 vjeçare të qytetit të Bilishtit është kapur brenda ambienteve të shkollës me një mjet prerës, të llojit biçak.

Ka qenë mësuesja e kësaj shkolle ajo që ka marrë informacion dhe më pas ka kontrolluar çantën e nxënësit, ku ka konstatuar dhe praninë e mjetit prerës.

Pasi ka gjetur biçakun në çantën e nxënësit ajo ka lajmëruar drejtorinë e shkollës e më pas policinë.

Këta të fundit në prani të psikologes së shkollës kanë marrë në pyetje nxënësin, i cili mësohet të ketë thënë se e ka blerë në një dyqan në qytetin e Bilishtit, pa treguar me tej arsyet e kësaj blerje.

Sipas drejtorisë së shkollës, 13-vjeçari është nxënës i rregullt dhe në asnjë rast nuk ka paraqitur probleme për mësuesit si dhe bashkëmoshatarët e tij të shkollës.

13-vjeçari është marrë në pyetje nga specialistët e hetimit të krimeve pranë komisariatit të Devollit në drejtim nga një prokuror i gatshëm, ku pritet që të nisë procedim penal edhe për shitësin, pasi sipas burimeve të siguruara pranë komisariatit të Devollit, nuk lejohet shitja e mjeteve prerëse tek minorenët. /Telegrafi/

Exit mobile version