Telegrafi

Më 13 shtator ZPS paraqet deklaratën përmbyllëse në gjyqin ndaj Salih Mustafës

Foto: Arkiv

Më 13 shtator Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqesë deklaratën përmbyllëse në rastin ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Kështu ka vendosur Trupi Gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt Foglia, i cili gjithashtu e ka përcaktuar 14 shtatorin datë kur mbrojtja e Mustafës do të bëjë deklaratën përfundimtare.

Në këtë datë do të bëhet edhe deklarata përmbyllëse e mbrojtëses së viktimave.

Sipas vendimit i cili është bërë i ditur nga Dhomat e Specializuara, përgjigjet dhe pyetjet nga Trupi Gjykues, si dhe deklaratat në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 15 shtator, ndërsa 16 shtatori është ndarë si ditë rezervë.

Më 31 gusht, Trupi Gjykues I përcaktoi rendin e ditës për deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore Mustafa, e planifikuar të mbahet nga 13 shtatori deri më 15 shtator (data 16 shtator e pëanifikuar si ditë rezervë). Rendi i ditës, që mund të ketë ndryshime gjatë seancës në bazë të vendimeve të Trupit Gjykues, konkretizon, ndër të tjera, se deklarata përmbyllëse e ZPS-së do të mbahet më 13 shtator, e vijuar nga Mbrojtësja e viktimave dhe Mbrojtja më 14 shtator. Përgjigjet, pyetjet nga Trupi Gjykues dhe deklaratat në lidhje me zhdëmtime janë planifikuar të mbahen më 15 shtator, thuhet tutje në vendim”, thuhet në vendimin e Trupit Gjykues, transmeton KP.

Në procesin gjyqësor kundër Salih Mustafës ka përfunduar paraqitja e provave nga ZPS dhe nga mbrojtja.

Në gjykatore janë dëgjuar 13 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, shumë prej të cilëve të mbrojtur dhe në seanca të mbyllura apo të redaktuara.

Ndërsa mbrojtja e Salih Mustafës ka paraqitur 15 dëshmitarë.

Në fillim të këtij procesi Salih Mustafa, ndaj të cilët rëndojnë akuza me pretendimin për krime lufte, ishte deklaruar i pafajshëm para trupit gjykues.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë prej 24 shtatorit të vitit 2020 kur edhe është arrestuar.