Telegrafi

126 persona u infektuan me COVID-19 në Prishtinë që nga fillim i pandemisë

Më 13 mars 2020 në Kosovë u shfaqën rastet e para të personave të infektuar me COVID-19. Që nga ajo kohë e deri tani, në tërë vendin sipas IKSHPK-së pozitivë kanë rezultuar 1298 persona.

Përveç numrit të lartë të personave të infektuar, deri më sot janë shëruar 913 kurse kanë humbur jetën 31 të tjerë.

E në Prishtinë që nga fillimi i pandemisë e deri më sot të infektuar kanë rezultuar 126 persona.

Komuna e Prishtinës në një përgjigje për Telegrafin ka theksuar se për momentin në kryeqytet janë 51 raste aktive.

“Që nga fillimi i pandemisë në Prishtinë i kemi 126 raste pozitiv me COVID-19, prej tyre 51 raste janë aktive, 73 persona janë shëruar dhe dy të tjerë kanë humbur jetën”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.

Ndryshe mbrëmë pas testimit të 280 mostrave në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, pozitivë me coronavirus kanë rezultuar 29 raste.

Nga to, 13 ishin nga Prishtina, 8 nga Obiliqi, 2 nga Vushtrria dhe me nga një rast në Viti, Prizren, Istog, Lipjan, Fushë Kosovë dhe Rahovec.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rekomanduar që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.

Ata kanë apeluar te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura. /Telegrafi/