Site icon Telegrafi

123-shi shkëlqeu në Ferizaj

Pasi kishte provuar në Prishtinë me ekipin Amigat dhe kishte shkuar deri në çerekfinale dhe më pas, javën e kaluar në Prizren kishte arritur deri në finale me 4 Musketirët ku ishte mposhtur nga kampionët, ekipi Turistat, kësaj radhe, në turneun kualifikues të Ferizajt, Kushtrimi ju bashkëngjit treshes Driton Ramosaj, Driton Ibrahimi dhe Dardan Sejdiu të skuadrës 123, skuadër kjo e cila po ashtu kishte garuar në Prishtinë dhe ishte mposhtur në gjysmëfinale nga Mr.Pantina, kampionia e sivjetme e Prishtinës.

Ishte kjo e treta e vërteta për 123-shin i cili i mposhti të gjithë rivalët në turneun Limak Streetball Kosova 2014 në Ferizaj dhe pa asnjë humbje u kualifikua për në Superfinalen e 20 korrikut në Gjakovë.

Në finale, 123 e mposhti skuadrën Dream Team me rezultat të ngusht 15:11.

Ishte ky dueli i dytë i këtyre skuadrave sepse ato ishin ndeshur edhe në grupin A ku, po ashtu 123 kishte fituar përballjen në mes tyre. Pas asaj disfate e deri në finale, skuadra Dream Team nuk e pësoi asnjë humbje dhe këto dy skuadrat me plotë meritë, si me lojë ashtu edhe me sjellje dhe fair-play e kanë merituar që të takohen në finale.

Ishte mëkat që njëra nga këto dy skuadrat duhej të eliminohej dhe vetëm njëra të vazhdonte rrugën për në Superfinale. Lucky Bovo, Randy Ronundson, Chris Thorson dhe Endi Abdullahu, tre ushtarë të KFOR-it amerikan dhe shoku i tyre nga Ferizaj, kishin kompozuar një ekip të hatashme e cila luante aq bukur, aq pastër aq “kojshëm” si i thotë populli, sa që në fund i fitoi edhe zemrat dhe simpatit e adhuruesve të shumët të streetballit të cilët ishin tubuar në fushën tradicionale, në platon para Kuvendit Komunal, në zemër të Ferizajt.

Pra, këto dy skuadra që nuk njihnin rival në fazën e grupeve, çerekfinale dhe gjysmëfinale, u ndeshën në duelin vendimtar ku vetëm njëra skuadër do të ecte më tej.

Finalja ndërmjet këtyre dy skuadrave ishte ajka mbi ëmbëlsirën fantastike streetbollistike të Limak Streetball Kosova 2014 në Ferizaj.

Nga sekonda e parë e duelit e deri në fund, kur ekipi 123 shënoi pikët vendimtare të fitores, lufta ishte e barabartë dhe skuadrat ndërroheshin në epërsi, duke pasur hiq më pak se 7 barazime.

I fundit ishte ai në minutën e 8-të të finales kur Randy Rundson me gjuajtje të saktë përtej vijës 6,75 e barazoi rezultatin në 11:11.

Më pas, në skenë doli Kushtrim Aliu i cili fillimisht u kundërpërgjigj me një dyshe tjetër për 13:11 e më pas e shfrytëzoi edhe faktin se ekipi Dream Team kishte hyrë në bonus dhe pasi u ndal në mënyrë të palejuar dhe fitoi të drejtën e gjuajtjes së dy gjuajtjeve të lira, dora e tij nuk u dridh dhe Kushtrimi i shënoi të dy gjuajtjet e lira duke e shpallur 123-shin kampion dhe përfaqësues të Ferizajt në Superfinalen e sivjetme.

Krejt në fund, shpërblimet për më të mirët i ndau drejtori i Kulturës Rinisë dhe Sportit i Komunës së Ferizajt, Enver Haliti i cili me këtë rast ai urojë shumë fat skuadrës përfaqësuese të qytetit të tij në Superfinalen e cila të dielën e ardhshme zhvillohet në Gjakovë dhe në bazë të skuadrave që janë kualifikuar atje, premton të jetë një nga superfinalet më atraktive dhe të niveluara. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version