Telegrafi

12-vjeçarja nga Vitia zhduket për të pestën herë, nëna thotë se e droguan

A.I. nga qyteti i Vitisë tash e gjashtë ditë është larguar nga shtëpia e saj. Familjarët e 12-vjeçares ende nuk kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e të bijës.

Nëna e A.I. tha se vajza është larguar nga shtëpia për të pestën herë dhe se gjatë bisedës me të bijën ajo i kishte thënë se disa persona i kishin dhënë për të pirë lëndë narkotike.

“Është e pesta herë. Kur e kam kap për t’i thënë se çka je duke bërë më ka thënë ‘mam nuk jeni duke e ditur se kam pirë diçka’. Më tha se miell më kanë dhënë”, u shpreh nëna e saj.

Andaj 6 muaj më parë për këtë rast sipas policisë dy persona kanë qëndruar në paraburgim, pasi të njëjtit dyshohet të kenë pasur kontakt me të miturën dhe që të njëjtit janë në procedurë gjyqësore.

Nga gjykata e kishin të pamundur të sqarohen në ditë vikendi, derisa nuk dihet nëse largimi i tanishëm i miturës lidhet me personat në hetim.

Por, herën e fundit që vajza doli nga shtëpia një ditë më vonë iu lajmërua të ëmës në telefon, por pa treguar vendndodhjen.

“E kam thirr në telefon. I thash ku je? Më tha me kë përzënë nga shtëpia. I thash jo nëna nuk të ka përzënë. Nuk e përzë evladin. Më tha ti më ke përzënë dhe ma mbylli telefonin”, rrëfeu tutje nëna e saj.

Ndërsa, të premten familjarëve iu erdhi një mesazh nga numri i bijës duke ju thënë se ajo gjendet në spital.

“Është në spital në Prishtinë. Më falni, a po kuptoni ju vajza juaj është në spital”, thuhej në mesazh.

Nëna tha se kanë pyetur edhe në spital, por se të njëjtit i kanë thënë se nuk gjendet aty.

Për largimin e fundit nga shtëpia të 12-vjeçares u njoftuan edhe organet e rendit të premten dhe që të njëjtit tani po merren me hetime.