Site icon Telegrafi

12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” u shpallën të pafajshëm, njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore  

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda njoftoi se ka shpallur aktgjykimin kundër 12 të akuzuarve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

12 të akuzuarit janë liruar nga akuza pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Lexo po ashtu Rasti “Veteranët”: Shpallen të pafajshëm 12 të akuzuarit

Lexoni të plotë njoftimin:

Gjykata ka shpallur aktgjykimin kundër dymbëdhjetë të akuzuarve

Prishtinë, 19 janar 2021 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve A.Ç.,N.L.,S.H.,SH.D.,SH.B.,Q.G., A.D.,RR.B.,F.F.,S.E.,F.SH. dhe XH.J. për veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Konform nenit 364 par.1 pika 1.3 të KPP-së, të akuzuarit A.Ç.,N.L.,S.H.,SH.D.,SH.B.,Q.G., A.D.,RR.B.,F.F.,S.E.,F.SH. dhe XH.J. janë liruar nga akuza pasi që Gjykata nuk ka gjetur prova të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Të njëjtit janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak se gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 31.01.2017, në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitimin pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/

 

Exit mobile version