Telegrafi

12 minatorët e Trepçës u suspenduan dhe më pas u rikthyen në punë, drejtoria jep detaje

Foto: Ilustrim

12 minatorë të Minierës së Stantërgut janë suspenduar nga puna me arsyetimin se kanë kryer shkelje të rëndë të detyrës, mirëpo të njëjtit janë ri-kthyer sërish në punë pasi është krijuar një mosmarrëveshje.

Drejtori i Trepçës, Nexhat Dedia në një prononcim për Telegrafin ka thënë se minatorët nuk janë suspenduar, por është krijuar një mosmarrëveshje.

Dedia tha se minatorët e ndërrimit të parë janë duke punuar aktualisht në minierë si çdo ditë tjetër.

“Jo jemi marrë vesh me ata, ka qenë një keqkuptim. Dhe është dezinformatë që ata janë suspenduar. Ata janë duke punuar si çdo ditë tjetër”, ka thënë Dedia.

Edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani tha se punëtorëve vetëm iu është tërheq vërejtja dhe se nuk ka suspendim nga puna.

“Drejtori me minatorët kanë bërë një marrëveshje që mos të ketë suspendim por vetëm një vërejtje, dhe çdo gjë është në rregull”, ka thënë Osmani.

Më poshtë mund ta shikoni vendimin e suspendimit të përkohshëm të 12 minatorëve të Stan Tërgut. /Telegrafi/