Telegrafi

12 milion kinezë të papunë këtë vit

Lajmi u bë i ditur nga një gazetë zyrtare në vend. Sipas të përditshmes kineze, edhe pse rritja ekonomike gajtë vitit 2009 arriti në 8%, vetëm gjysma e 24 milion punëkërkuesve do të mund të kenë një të tillë brenda këtij viti.

“Diferenca midis ofertës dhe kërkesës për punë këtë vit do të jetë më e madhe në krahasim me vitin e kaluar. Kjo për shkak se nuk janë krijuar mjaftueshëm vende pune,”- citohet të ketë thënë Yin Wemin, Ministri i Burimeve Njerëzore dhe Sigurisë Sociale.

Çështja e punësimit është veçanërisht e ndjeshme për qeverinë, e cila përpiqet të administrojë shpërndarjen e të ardhurave dhe është e shqetësuar në lidhje me pakënaqësinë e të papunëve.
30 milion njerëz humbën punën kur fabrikat ku ata punonin u mbyllën për shkak të rënies së nevojës për eksporte vitin e kaluar, bëri të ditur qeveria. Por ajo nuk dha detaje të tjera në lidhje me gjendjen e përgjithshme të punësimit dhe numrin e përgjithshëm të vendeve të reja të punës.

Zyrtarët kinezë thonë se Pekini ka besim në mbajtjen e nivelit të papunësisë urbane në nivelin 4.5% këtë vit, pas shifrës 4.3% që arriti në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Kjo shifër mat vetëm një segment të ngushtë të ekonomisë, që përqendrohet më tepër në kompanitë e mëdha dhe në ato që janë në pronësi të shtetit.

Zyrtarët paralajmërojnë se rimëkëmbja e ekonimisë kineze nuk është stabilizuar akoma plotësisht, pavarësisht ritmeve të kënaqshme të rritjes ekonomike prej 7.9% në tremujorin e fundit, nga 6.1% që ka qenë në tremujorin e kaluar. Kjo rritje erdhi si rezultat i paketës stimuluese prej 4 trilion Yuan (586 miliard dollarë), e cila është duke derdhur para për ekonominë përmes ndërtimeve të shumta, të cilat kanë krijuar vende të reja pune në sektorin e ndërtimit.