Site icon Telegrafi

12 mijë kosovarë shkuan për të jetuar në Gjermani gjatë vitit 2018

Gjatë vitit 2018 në Gjermani kanë ardhur për të jetuar një milion e 585 mijë veta nga jashtë, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë vendin e kanë braktisur një milion e 185 mijë persona. Nga kjo del se rritja neto e numrit të banorëve në Gjermani gjatë vitit 2018 ka qenë 416 mijë persona, një rritje pak më e vogël se ajo e një viti më parë,

Referuar Zyrës Federale të Statistikave, 87 për qind nga të ardhurit kanë pasaporta të huaja që lë të kuptohet se pjesa tjetër janë shtetas gjermanë që janë kthyer pasi kanë emigruar më parë.

Janë me interes shifrat që tregojnë përkatësitë nacionale të të ardhurve. Shtimin më të madh të numrit të të huajve të ardhur për të jetuar në Gjermani, në krahasim me një vit më parë e kanë shënuar shtetasit e Shqipërisë, përcjell Albinfo.

Nëse në vitin 2017 kishin ardhur një mijë shtetas shqiptarë më tepër se në vitin paraprak, në vitin 2018 kjo shifër është tetëfishuar.

Rritje të madhe por jo në këto përmasa, është regjistruar edhe te kosovarët. Në vitin 2018 në Gjermani kanë ardhur për të jetuar 12 mijë kosovarë më shumë se në vitin 2017, ndërsa dallimi në mes të vitit 2016 dhe 2017 ka qenë 8 mijë.

Rënie më të madhe ka shënuar numri i shtetasve të vendeve të BE-së dhe atyre aziatikë të ardhur në Gjermani. Por shtetasit e vendeve të BE-së vazhdojnë të përbëjnë pjesën më të madhe në shtimin e të huajve në Gjermani, gjegjësisht 202 mijë, që është më pak se në vitin 2017 që ishin 239 mijë persona. /Telegrafi/

Exit mobile version