Site icon Telegrafi

12 ditë pas aksidentit në Llaskarcë, ende nuk dihen arsyet

Kaluan 12 ditë nga aksidentit tragjik në autostradën Shkup-Tetovë pa epilog për shkaqet që shpien deri te rrokullisja e autobusit të Durmo Turs. Nga Fakulteti i Makinerisë ku është bërë ekspertiza e autobusit të aksidentuar thonë se raportin e tyre do e ndajnë vetëm me Prokurorinë. Edhe Byroja për mjekësi ligjore thotë se nuk do të kumtojnë asgjë pa e parë vendimin e prokurorisë. Nga Prokuroria Publike thonë se po i kryqëzojnë raportet e marra nga të gjitha institucionet e përfshira në hetim dhe se po vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve okularë por edhe udhëtarëve të asaj dite. Ndërkaq Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski thotë se në një afat të shkurtër kohorë do zbardhen arsyet e aksidentit.

“Në përditshmëri u përgjigjemi kërkesave. Janë shpërndarë edhe hetues të cilët punojnë me Prokurorinë Publike që nga momenti i aksidentit. Unë pres që së shpejti do të dalin me të dhëna dhe informata në lidhje me rastin”, theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme

Për dallim nga Qeveria dhe Komuna e Gostivarit të cilët ende nuk kanë ndërmarrë asgjë, Qyteti i Shkupit nga buxheti i vet ka ndarë nga 100 mijë denarë për familjarët e viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik të autobusit, ndërsa nga 30 mijë denarë për të lënduarit. Kryetari i Shkupit Petre Shilegov tha se kjo është një shumë simbolike por që shpreson se me këtë masë të ndërmarrë të ngushëllojë familjarët dhe të lënduarit për humbjet e mëdha.

“Jam i vetëdijshëm se kjo lloj ndihme nuk do të thotë shumë për 16 familjet që u ndodhi kjo tragjedi por mendoj se ky gjest është një tregues thelbësorë së çfarë qyteti është Qytetit të Shkupit, çfarë duhet të jetë dhe të mbetet”, tha Petre Shilegov, Kryetar i Bashkisë së Shkupit

Në gjendje të rëndë shëndetësore mbetet vetëm një nga udhëtarët e aksidentuar, i cili ka lëndime në tru dhe mushkëri të bardha dhe po mbijeton me ndihmën e frymëmarrjes artificiale. Gjendja e shtatë pacientëve të tjerë është stabilizuar dhe shkon kah përmirësimi. Aksidenti tragjik i autobusit ndodhi më 13 shkurt në fshatin Llaskarcë. 16 persona humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan./Alsat/

Exit mobile version