Ka përfunduar mbledhja e përbashkët dy kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila u zhvillua në Tiranë për të shënuar kështu 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje u kërkua që Shqipëria dhe Kosova të bashkëndajnë përgjegjësinë për forcimin e shqiptarëve.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla theksoi se Shqipëria dhe Kosova tanimë janë dy shtete të pavarura me aspirata drejt Brukselit dhe me aleatë të fuqishëm siç janë ShBA-të.
Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se vetëm të bashkuar do të mund t’i mbrojmë interesat jetike të popullit shqiptar.
Para deputetëve të të dyja shteteve nga një fjalë rasti mbajtën edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.
Kurti tha se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë. Sipas tij Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, mirëpo “jo për të penguar, por për të kontribuar”.
E kryeministri Edi Rama u shpreh besimplotë se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë shumë më shpejt se ç’u desh për të shpallur pavarësinë si shtet.
Ai përmendi edhe presidentin historik Ibrahim Rugova dhe ish-presidentin Hashim Thaçi, si faktorë kryesorë për të tashmen.
Nga një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në shënim të këtij përvjetori, do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore. Mbrëmë është mbajtur një koncert, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. /Telegrafi/
Përfundon mbledhja e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë
Ka përfunduar mbledhja e përbashkët dy kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, e cila u zhvillua në Tiranë për të shënuar kështu 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje u kërkua që Shqipëria dhe Kosova të bashkëndajnë përgjegjësinë për forcimin e shqiptarëve.
“Kësaj salle i mungon Rugova e Thaçi”, Rama: Njohja përfundimtare e Kosovës do të vij shumë shpejt
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur fjalim në mbledhjen e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, për nder të 110 vjetorit të pavarësisë.
Rama u shpreh se kjo është një ditë e bukur për faktin se në sallën e Kuvendit të Shqipërisë kanë arritur të mblidhen njerëz të cilët nuk do të donin të ishin bashkë as në një mëhalle.
Rama u shpreh besimplotë se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë shumë më shpejt se ç’u desh për të shpallur pavarësinë si shtet, ndërsa solli në vëmendje fakti se edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e Mal të Zi kanë sot një kryeparlamentar dhe kryeministër.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Kusari-Lila në Kuvendin e Shqipërisë: Pamja më e bukur në botë
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka mbajtur fjalim në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës.
Ajo u shpreh se deputetët e të dyja kuvendeve, krijonin një pamje, siç tha ajo ‘impozante’.
“Një pamje impozante – pamja më e bukur në botë. Faleminderit se kolegët e mirë deri më tani nuk e treguam peshën e emocionit që ndiejmë ne nga Kosova që kemi ardhur për të mbajtur fjalim nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila përmendi ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari e daljen e parë publike të UÇK-së që bien në të njëjtën datë të pavarësisë së Shqipërisë.
Kurti në Tiranë: I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, ndarjet krahinore kanë qenë dhe janë pengesë edhe sot
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë.
“I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti shtoi se vendet tona ballafaqohen me probleme ku më i mprehti është ai i largimit të të rinjve.
Kryeministri shtoi se mërgimtarët janë mbështetja më e madhe e dy vendeve tona.
“Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund”, tha Kurti.
Alibelaj: Shqipëria të shoh Serbinë vetëm ashtu siç e sheh Kosova
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Ekelejd Alibelaj, ka kërkuar nga institucionet e Shqipërisë që të shohin Serbinë vetëm ashtu siç e sheh Kosova.
Ai në mbledhjen solemne të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, përmendi kundërshtimin e Kosovës për idenë e Ballkanit të Hapur dhe nënvizoi nevojën për moscënim të sovranitetit të Kosovës.
Akuza ndaj Serbisë, adresoi edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ndryshim, Fatmir Mediu.
“Serbia po armatoset, po rrezikon stabilitetin në rajon, kërcënon sigurinë në Kosovë”, tha ai.
Balla: Komandantët e UÇK-së mbahen në Hagë mbi bazën e akuzave të paqena
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që gjykohen në Hagë, në seancën solemne të kuvendeve të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai ka thënë se duhet mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Sot komandantët e UÇK-së mbahen të arrestuar, mbi bazën e disa akuzave të paqena”, ka thënë Balla.
Balla tha se liria e Kosovës ka qenë ëndërr e madhe e shqiptarëve.
Gashi: Thellimi i bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë është i domosdoshëm
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë rrugën e përbashkët evropiane.
Gashi para deputetëve në mbledhjen e përbashkët të ligjvënësve nga Kosova dhe Shqipëria, tha se thellimi i bashkëpunimit të dy vendeve është i domosdoshëm.
Ai nënvizoi se Kosova tanimë ka një demokraci të zhvilluar.
“Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare, edhe pse jemi një shtet i ri, me përkrahjen e miqve tanë, ne kemi arritur të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme, me institucione funksionale, konkurrente për rajonin”, u shpreh ai.
Tahiri: Jan tre 28 nëntor që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se janë tre 28 nëntor që i kanë dhënë vulë të drejtës historike të Shqiptarëve.
Në seancën solemne të kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, Tahiri përmendi edhe ish-krerët e UK-së që janë më Hagë.
“28 nëntor i Skënderbeut i themel, 28 nëntorit i Ismail Qemalit si projekt, 28 nëntori i Adem Jasharit dhe UK-së, si akt përmbyllës janë tre 28 nëntor që i kanë dhënë vulë të drejtës sonë historike. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë heronj që po mbahen padrejtësisht larg nesh”, shtoi Tahiri.
Derisa përsëriti se rruga e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë është ajo euro-atlantike.
Sveçla në Kuvendin e Shqipërisë: Koha është që hapat tanë të jenë një
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në mbledhjen e dy kuvendeve ka thënë se është koha më shume së kurrë që hapat mes dy shteteve të jenë një.
“Pëvoja jonë si shqiptarë nuk ka qenë e qetë, ne nuk përjetuam periudha të gjata e të qeta të ndërtimit të shtetit tonë. Ne pësuam më shumë se kushdo, por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe Kosovën”, tha Sveçla.
Ai shtoi se edhe pse në troje të ndara, ne sot kemi realizuar një shtetim të madh të shqiptarëve.
“Ashtu siç po i shtojmë e thellojmë marrëveshjet e bashkëveprimit mes nesh, tani është koha më shumë se kurrë që hapat tanë të jenë njo, që mbërrithja jonë drejt qëllimit të jetë sa më e shpejtë”, u shpreh Sveçla.
Tahiri i AAK-së: Duhet të jemi më të bashkuar dhe ta duam njëri-tjetrin më shumë
Në mbledhjen solemne të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshill të Evropës.
Tahiri tha se në vigjilje të 28 nëntorit, iu kemi borxh gjithë heronjve dhe veprimtarëve që të ketë unifikim të shqiptarëve për aspiratat kombëtare.
Tutje, ai u shpreh se duhet të jemi më të bashkuar dhe më të zhvilluar.
“E kemi detyrë kombëtare, fal gjithë sakrificës që të punojmë dhe ta gjejmë rrugën që si njëri ndër popujt më të vjetër në Ballkan, të bëhemi popull lider në Ballkan, duket të jemi më të bashkuar, më të mirë, më të zhvilluar, më të përparuar dhe ta duam njëri-tjetrin më shumë. Këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që kanë dhënë për Shqipërinë, shqiptarinë e Kosovën. Zoti e bekoftë Kosovën e Shqipërinë, Zoti e bekoftë këtë komb të bekuar”, u shpreh ai.
Spiropali për vizat: I padrejtë izolimi i Kosovës
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet në Parlamentin në Shqipëri, Elisa Spiropali ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, Spiropali theksoi se kjo që po i bëhet Kosovës është e padrejtë.
“Se si është e mundur që në Kosovë ata që sot kanë moshë gjyshërish lëviznim lirshëm kur ishin në pushtimin e ish-Jugosllavisë, ndërkaq nipat e tyre, të lindur në lirinë që sollën bashkërisht ShBA-ja, BE-ja, NATO-ja, gjithë Perëndimi së bashku me luftën e Kosovës, janë të dënuar ta kalojnë jetën në izolim. Shpresojmë të ndryshojë shpejtë, shpresojmë të ndodh menjëherë”, u shpreh ajo.
Konjufca në Tiranë: Serbia synon ta destabilizojë Kosovën, ajo po na lufton pa zgjedhur mjete
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë, ka thënë se 28 nëntori është i Shqipërisë po aq sa është edhe i Kosovës.
Konjufca ka thënë se vetëm të bashkuar do të mund t’i mbrojmë interesat jetike të popullit shqiptar.
Ai përmendi faktin që Serbia vazhdon të luftoj shtetin e Kosovës si nga brenda edhe jashtë, dhe se synimi i saj është destabilizimi i Kosovës.
“Bota sot është me pasigurt se dje për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë. I vetmi shtet në Evropë që mbetet i lidhur me Rusinë është Serbia. Ajo na lufton nga brenda e jashtë pa zgjedhur mjete, dhe synimi i vetëm i saj është destabilizimi i Kosovës. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria-Kosova aq më lehtë do ti mbrojmë interesat jetike të kombit tonë”, ka thënë Konjufca.
Lindita Nikolla: Kosova dhe Shqipëria shtete të pavarura me aletatë të fuqishëm si ShBA-të
Mbledhjen e dy Kuvendeve asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, për nderë të 110 vjetorit të pavarësisë, e hapi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Nikolla këtë ditë e quajti si ditë të shënuar dhe të paharrueshme duke theksuar se Shqipëria dhe Kosova tanimë janë dy shtete të pavarura me aspirata drejt Brukselit dhe me aleatë të fuqishëm siç janë ShBA-të.
“Jam shumë lumtur që jemi sot bashkë bashke kuvendar të Shqipërisë dhe Kosovës. Sot kjo orë e shënuar përmes emocioneve jo të përditshme thërret një vëllazëri të përbashkët në vigjilje të 28 nëntorit, ditë së flamurit. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura sovrane dhe të bashkuara, me miq dhe aleatë të shumtë e në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aspirata drejt Brukselit”, deklaroi Nikolla.
Me intonimin e himneve, nis mbledhja e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë
Në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur mbledhja e përbashkët e dy kuvendeve Shqipëri-Kosovë për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Mbledhja ka nisur me intonimin e himnit të dy vendeve.
Në këtë mbledhje po marrin pjesë edhe dy kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, e gjithashtu edhe deputetët e të dyja vendeve.
Kryeministrat Rama e Kurti arrijnë së bashku në ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë arritur së bashku në ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbahet mbledhja e dy kuvendeve për nderë të shënimit të 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Rama dhe Kurti janë parë në humor të mirë, teksa kanë parakaluar në qilimin e kuq. Ata janë pritur me muzikë dhe valle.
Të njëjtit janë shoqëruar nga Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca. Të katërt janë shfaqur bashkë në një fotografi.
Glauk Konjufca arrin në Kuvendin e Shqipërisë, pritet nga homologia e tij Lindita Nikolla
Tashmë në ndërtesën e Kuvendit të Shqipërisë ku edhe do të mbahet mbledhja e dy kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, ka arritur edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Konjufca është pritur nga homologia e tij, Lindita Nikolla. Ata së bashku kanë shikuar edhe mini-ekspozitën që është shfaqur në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë, ku prezantohet historiku i shtet ndërtimit të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe aspiratat e të dyja vendeve në rrugën euroatlantike.
Deputetët e LVV-së arrijn në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë
Në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë ku do të mbahet edhe mbledhja e dy kuvendeve, tashmë kanë arritur edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Mimoza Kusari-Lila, Fitore Pacolli, Armend Muja, Mefail Bajqinovci, Dimal Basha, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, Avni Dehari e shumë deputetë të tjerë të LVV po marrin pjesë në këtë mbledhje e cila shënon edhe 110 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë
Gjithçka gati për nisjen e mbledhjes së dy kuvendeve shqiptare
Në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë Shqipërisë, sot në Tiranë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Mbledhja e dy Kuvendeve do të nis në orën 10:00. Tashmë të gjitha përgatitjet për nisjen e kësaj mbledhje janë kryer.
Në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë ku edhe do të mbahet mbledhja, është hapur një mini ekspozitë ku janë të shfaqura aspiratat e të dyja vendeve drejt integrimit euroatlantik.