Site icon Telegrafi

100 vjetori i ngritjes së flamurit në Vesekovc

Manifestimi është organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim edhe me komunat e Vushtrrisë dhe Podujevës. “Është një emocion i jashtëzakonshëm që pas një shekulli, ne bashkëkombësit e Isa Boletinit, jemi në vendin ku ai dhe bashkëluftëtarët e tij ngritën Flamurin Kombëtar që shënoi edhe fillimin e kryengritjes popullore kundër perandorisë osmane në këtë pjesë të Kosovës”, tha kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në hapje të manifestimit.

Në vazhdim, ai theksoi se ky manifestim përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të qenë edhe më madhështor, ky përvjetor po shënohet në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ishte amanet i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Ai potencoi se zjarrit të lirisë i dhanë flakë edhe një herë në fund të shekullit të kaluar djemtë dhe vajzat e rreshtuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke ndjekur rrugën e nisur nga Komandanti Legjendar, Adem Jashari. “Sakrifica e tij bashkoi shqiptarët si asnjëherë më parë drejt plotësimit të amanetit të të parëve”.

Kastrati potencoi se përmasat e kësaj ngjarjeje që po shënohet sot dhe atyre që sendërtuan atë, janë të mëdha sa vetë Shqipëria.

“Isa Boletini me flamurin e pavarësisë rrugëtoi nga pika më veriore e trojeve shqiptare, deri në Vlorë, në skajin jugor të këtyre trojeve. Kjo është simbolika e vërtetë e atij momenti historik”.

Për figurën e Isa Boletinit ka folur edhe simboli i qëndresës, Adem Demaçi si dhe historianë nga Shqipëria dhe Kosova.

Manifestimin e bëri edhe më madhështor Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës me një program të pasur, kurse për nder të kësaj ngjarje u zbulua pllaka që shënon 30 qershorin e vitit 1912. /Telegrafi/
 

Exit mobile version