Drejtori i ardhshëm i Bayern Munichut, legjenda Oliver Kahn e ka cilësuar si të paimagjinueshme shifrën prej 100 milionë eurove për transferimin e sulmuesit të Borussia Dortmundit, Erling Haaland.
Haaland e ka vendosur veten si një nga sulmuesit më të frytshëm në Evropë që nga bashkimi me Dortmundin në janar të vitit 2020 dhe po tërheq vëmendjen nga një numër klubesh të mëdha që duan transferimin e tij në afatin kalimtar të verës.
Bayerni është ndër ata që janë të lidhur me një transferim të norvegjezit, por Kahn pretendon se ata nuk do të jenë në gjendje të përputhen me çmimin e tij në klimën aktuale financiare.
“Na vjen keq, kushdo që foli për këtë nuk e kuptoi situatën”.
“Një lojtar që kushton – siç kemi dëgjuar – mbi 100 milionë është e paimagjinueshme për FC Bayern për momentin”, ka thënë Kahn për Bild.
Ndryshe, Kahn vazhdoi të këmbëngulte që Bayerni mund të vazhdojë të mbështetet te Robert Lewandowski si burimi i tyre kryesor i golave për të ardhmen e parashikueshme, pavarësisht nga fakti se ai po i mbush 33 vjet. /Telegrafi/