BBC-ja, në një reportazh gati pesë minutësh të transmetuar të shtunën në faqen e saj online, shpreh shqetësimin për këto persona të cilët kanë kryer krime në Shqipëri, janë dënuar në mungesë dhe jetojnë të lirë në Britaninë e Madhe, raportoi të dielën e përditshmja Shqip.
Gazetarët e BBC-së tregojnë historinë e Marash Gjokës, shqiptarit të dënuar me 20 vjet burg pas një vrasjeje të kryer në 1999 dhe që jetonte i lirë në Londër deri në fillim të këtij viti, kur policia arriti t’i vinte prangat. Aktualisht ai ndodhet në burg, në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Pas kësaj ngjarjeje, gazetarët e BBC-së udhëtojnë drejt Tiranës për të takuar Pëllumb Seferin, kreun e Interpolit në Tiranë.
“Nga shërbimet tona të inteligjencës, ne mendojmë se ka më shumë se 100 kriminelë nga Shqipëria të cilët aktualisht jetojnë në Angli. Ata janë në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda si vrasje, tentativë vrasjesh, prostitucion dhe drogë”, tha zoti Seferi për gazetarët londinezë./Telegrafi/