Shtatëdhjetë e katër për qind e qytetarëve e konsiderojnë të mirë punën e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për sa i përket vendimeve ekonomike. Kështu tregon hulumtimi më i fundit i realizuar nga kompania për hulumtime Pyper.
Në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti, qytetarët po ashtu u prezantuan me Pakon e Ringjalljes Ekonomike prej 420 milionë euro. Për 58 për qind e të anketuarve, kjo Pako po konsiderohet të jetë e mjaftueshme për ta përmirësuar nivelin ekonomik në vend.
Veç kësaj, me të gjithë ndryshimet e ndërmarra nga Qeveria në ndërmarrje publike, pra shkarkimin e bordeve, pothuajse gjysma e të anketuarve konsiderojnë se shkarkimi i tyre do të ketë efekt pozitiv në performancën ekonomike të ndërmarrjeve. Me fjalë tjera, të anketuarit presin këto ndërmarrje të shënojnë fitim.
Për dallim prej këtyre, rreth 1 në 10 të anketuar mendojnë se ndërmarrjet publike do të shënojnë humbje në këtë rast si dhe rreth 1 në 10 po ashtu mendojnë se performanca e ndërmarrjeve do të jetë e njëjtë.
E duke pasur parasysh se vendimet janë të rëndësishme, të anketuarit po ashtu kanë pasur mundësinë të shprehin mendimin e tyre se cili vendim do të duhej të ndërmerrej nga Qeveria Kurti në aspektin ekonomik, pra që nuk është ndërmarrë ende).
E prej të gjitha përgjigjeve të ofruara nga të anketuarit, vlen të ceken si më të përmendurat vendosja e masës së reciprocitetit me Serbinë, rritja e pagës minimale si dhe krijimi i një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike.
Së fundmi, me të gjitha premtimet elektorale të ofruara për zgjedhjet e 14 shkurtit, 61 për qind e të anketuarve besojnë se qeveria do t’i përmbush premtimet ekonomike dhënë qytetarëve.
Hulumtimi është realizua me 1,099 pjesëmarrës anembanë Kosovës përmes një mostre jo të rastësishme. /Telegrafi/
Bëhu edhe ti pjesë e sondazheve – shkarkoni aplikacionin Pyper (iOS)
Bëhu edhe ti pjesë e sondazheve – shkarkoni aplikacionin Pyper (Android)