Telegrafi

100 ditë në grevë, e askush nuk merret me ta

Ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave, sot kanë mbushur 100 ditë grevë para Qeverisë së Kosovës. Gjatë kësaj kohe, asnjë nga institucionet nuk i kanë vizituar, pohojnë grevistët. Ata janë të vendosur që të vazhdojnë grevën, deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke u shprehur të bindur se janë rreth 25 milionë euro u takojnë atyre, nga privatizimi i kësaj fabrike që kishte ndodhur në vitin 2007.

Në një tendë të vendosur Sheshin Skënderbe në qendër të Prishtinës, në krah me ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ish-punëtorë të Fabrikës së Gypave nga Ferizaj në ditën e 100-të grevës, kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës që t’iu ndajnë mjetet nga privatizimi i fabrikës ku ata kanë kontribuuar me vite të tëra.

Anëtari i Këshillit grevist të ish-punëtorëve në Fabrikën e Gypave, Ahmet Sylejmani thotë se shteti u ka borxh 912 punëtorëve të kësaj fabrike dhe duhet t’u paguaj 25 milionë euro që dalin nga privatizimi i kësaj fabrike të bërë në vitin 2007.
“25 milionë e 600 me kamatë të caktuar që është 3 për qind, derisa ne jemi këtu kërkesat tona kanë me u realizuar po sa më shpejt aq më mirë, për arsye se me të vërtetë jemi në një gjendje të vështirë dhe të gjitha instancat prej Gjykatës Kushtetuese e të tjera janë në favor tonin, por nuk janë të interesuar me na vizituar dhe me e zgjedhë këtë problem”, thekson Sylejmani.

Grevistët thonë se ky tremujor i tyre ka qenë përplot sfida që ka ndikuar edhe në shëndetin e tyre, raporton Radio Kosova.

I lodhur nga pritja është edhe Danush Rashiti. Ai shprehet i indinjuar nga mospërfillja e institucioneve të vendit karshi kërkesave të tyre.

“Askush nuk vjen me na vizituar, as të drejtat tona nuk na realizohen, ne të vdekur me dal prej këtu po, a të gjallë jo. Tash me ndjetë në pllaka 3 muaj ditë vështirë është. Të ardhurat materiale – po na përkrahin shokët, nganjëherë mbesim, e ka ditë që vetëm një herë në ditë hamë bukë”, thotë Rashiti.
Sidoqoftë, gjendja e shëndetësore e shumë grevistëve tashmë është përkeqësuar. Disa nga grevistët thonë të kenë qëndruar aty vazhdimisht.

Greva kishte filluar nga 44 grevistë, ndërkaq për arsye shëndetësore janë detyruar që të shkojnë në shtëpi, kurse në grevë aktualisht janë 11 ish- punëtorë të kësaj fabrike. Sot në 100 ditshin e grevës, grevistët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë takim me presidenten, Atifete Jahjaga, kryeministrin në detyrë Hashim Thaçi, zyrtarët e AKP-së si dhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë Samuel Zhbogar. /Telegrafi/