Më 25 prill janë bërë 10 vjet që kur ka hyrë në fuqi Ligji për Sigurime shëndetësore, ndërkaq sot më 26 prill bëhen 11 vjet nga Ligji për Shëndetësinë.
Lidhur me këtë ka reaguar Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, gjersa ka listuar disa pika të rëndësishme për sistemin shëndetësorë që nuk janë bërë, por që sipas tyre do të mund të bëheshin.
“Para më shumë se një dekade kishte filluar procesi i reformimit të sistemit shëndetësor në Kosovë. Në atë kohë, me ekspertë ndërkombëtar e vendor, ishte miratuar një pako ligjore me të cilat pretendohej të bëhej reformimi i sistemit shëndetësor. Edhe pse konsiderohej se ligjet e hartuara ishin mjaft bashkëkohore, ende pa kaluar 2 vite nga miratimi, filloi procesi i ndryshimit të tyre. Ky proces është aktiv tash e 8 vite dhe me të janë marrë të gjithë ministrat e shëndetësisë”, thuhet në reagim.
Sipas PRAK-ut, edhe pse të gjithë ministrat e shëndetësisë janë marrë me ndryshimin e ligjeve, asnjëri nga ta asnjëherë nuk ka ofruar një dokument bindës pse duhet të ndryshohen ato ligje, çka e pengojnë ato reformimin e sistemit shëndetësor!
“Aktualisht kemi një Ligj të Sigurimeve Shëndetësore të pazbatuar dhe një Ligj të Shëndetësisë pjesërisht të zbatuar. Ligji i Shëndetësisë ka paraparë disa ndryshime të domosdoshme për sistemin shëndetësor, për të cilat asnjëherë nuk ka pasur kundërshti se i duhen sistemit shëndetësor, por të cilat nuk kanë ndodhur”, thuhet tutje.
PRAK konsideron se ligjet aktuale, me gjithë mangësitë që mund t’i kenë, nuk kanë pengesa të pakapërcyeshme për të reformuar sistemin shëndetësor.
Sipas Shoqatës për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë ka hapësirë që ka mundur të punohet në drejtim të përgatitjeve për fillim të reformës.
Ata thonë se në Ligjin për Shëndetësi janë paraparë shumë gjëra që kanë mundur të bëhen, janë imediate për sistemin, por që nuk janë bërë.
Sipas Ligjit për Shëndetësi, neni 10 paragrafi 4 kërkon që të miratohet një plan strategjik afatgjatë për shëndetësi nga Kuvendi i Republikës së Kosovës – nuk është bërë.
Neni 18 në paragrafët 9, 11, dhe 13, kërkon që t’i mundësohet qytetarëve që të përzgjedhin mjekun e tyre të familjes, tek këtë vit pritet të filloj – nuk është bërë.
Neni 16 paragrafi 1,2,3 dhe neni 42.1 kërkojnë që institucionet shëndetësore të trajtohen si të barabarta, të bëhet licencimi i institucioneve publike shëndetësore njëjtë sikurse ato private – nuk është bërë.
Neni 49 kërkon që të vendoset Sistem i Integruar i Informimit Shëndetësor – SIISH – nuk është bërë.
Neni 3, paragrafi 1.19 kërkon që të hartohet lista me shërbimet që do të kontraktohen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore – nuk është bërë.
Neni 23 kërkon që të organizohen Shërbimet Profesionale – nuk janë bërë.
Neni 56 kërkon negocimin dhe kontraktimin e shërbimeve shëndetësore – nuk është bërë.
Duke pas një pajtueshmëri të përgjithshme, se të gjitha këto që u cekën më lartë duhet të bëhen sepse janë të rëndësishme për sistemin shëndetësor, e të cilat nuk janë bërë, atëherë shtrohen pyetjet.
Pse duhet të vazhdohet me ndryshim të Ligjeve?
Cilat janë pengesat që po has reforma?
PRAK propozon që të fillohet me zbatim të Ligjit aktual për shëndetësi, të hartohet paketa përfituese të cilën do ta kontraktojë Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, të përgatitet Fondi për blerje të këtyre shërbimeve dhe të përgatiten Institucionet shëndetësore për shitjen e këtyre shërbimeve. /Telegrafi/