Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Muharrem Morina, Nikollë Prenaj, Sali Selmanaj dhe Nue Kraica, duke i dënuar secilin me nga 2 vite e 6 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë për shitblerje të substancave narkotike.
Aktgjykimi u shpall të premten nga gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha.
Të akuzuarit Morina, Prenaj, Selmanaj dhe Kraica, në seancën e datës 12 shkurt 2025, kanë pranuar fajësinë me vullnetin e tyre të lirë para gjykatës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 17 janar 2024, të akuzuarit Muharrem Morina, Nikollë Ukaj, Sali Selmanaj dhe Nue Kraica akuzohen se deri më 20 prill 2024, pa autorizim dhe me qëllim shitjeje apo shpërndarjeje, kanë ofruar për shitje substanca narkotike të llojit marihuanë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi që të akuzuarit substancat kishin siguruar nga Republika e Shqipërisë dhe i kishin fshehur në shtëpinë e të akuzuarit Sali Selmanaj në fshatin Greikoc të Suharekës, ku më pas ua kanë ofruar për shitje dy personave të tjerë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nue Kraica, Muharrem Morina dhe Nikollë Ukaj kanë qëndruar me njërin nga blerësit potencialë, ndërsa i akuzuari Selmanaj ka qëndruar me personin tjetër. Më pas, të njëjtit janë drejtuar drejt shtëpisë së Selmanajt për të verifikuar substancën narkotike.
Në aktakuzë thuhet se me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prizren, është kontrolluar shtëpia e Selmanajt, ku Policia ka gjetur 49 kg e 750 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë.
Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par. 2, lidhur me nenin 275, par. 1, pika 1.9, e lidhur me nenin 31 të KP-së.