Site icon Telegrafi

10 vatra zjarri në Shqipëri, digjen 18 hektarë në fshatin e kryeministrit Rama

Sipas Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe. Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 85 punonjës zjarrfikës, 14 automjete zjarrfikëse, 125 personel nga Forcat të Armatosura të Ushtrisë, mbi 75 punonjës të Pyjores e të bashkive, mbi 110 qytetarë vullnetarë, të mbështetur edhe nga helikopterë.

Specialistët e Emergjencave Civile, janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin. Në Qarkun e Tiranës zjarri ka përfshirë edhe fshatin ku jeton kryeministri Rama, Surreli. Nga zjarri janë djegur rreth 18 ha shkurre dhe ferra.

QARKU KORÇË

Janë rindezur vatrat e zjarrit në kufirin ndarës ndërmjet njësive Lekas dhe Voskopojë, të bashkisë Korçë. Zjarri ka përfshirë një territor tepër të thyer me pisha të larta dhe me vështirësi për t’u futur me mjetet zjarrfikëse. Zjarrfikësit, punonjës të bashkisë, punonjës të pyjores, forca ushtarake dhe banorë të zonës, kanë punuar duke mbajtur nën kontroll vatrat e fshehura të zjarrit. Ditën e sotme po vazhdojnë operacionet për fikjen plotësisht të vatrave të zjarrit. Nga zjarri janë djegur sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha.

Në Ersekë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në afërsi të varrezave të qytetit. Zjarrfikësit kanë shkuar në vendngjarje dhe duke shuar vatrat e zjarrit. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 3 dynym me shkurre por u shpëtuan banesat si dhe varrezat që ishin shumë afër flakëve.

QARKU TIRANË

Në fshatin Surrel, të bashkisë Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete për shkak të terrenit, prandaj është dërguar helikopteri i cili ka shuar vatrat e ndezura. Nga zjarri është djegur rreth 18 ha shkurre dhe ferra.

QARKU LEZHË

Vazhdon zjarri pranë pyllit me pisha në fshatin Orosh, bashkia Mirditë. Zjarfikësit kanë punuar në vendngjarje me mjete, të mbështetur nga vullnetarë, forca të ushtrisë, si dhe nga helikopteri duke vënë situatën nën kontroll. Vatrat nuk kanë prekur banesa të shtetasve dhe as pyllin me pisha fare pranë. Operacioni vazhdon për të shuar plotësisht vatrat e fshehura. Zjarri ka djegur një sipërfaqe prej rreth 30 ha me kullotë dhe bimësi të shkurtër dhe ka përshkruar rreth 50 ha pisha.

QARKU DIBËR

Është riaktivizuar vatra e zjarrit në fshatin Gurë- Lurë, të bashkisë Dibër. Forca të pyjores dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje për të shuar zjarrin, të mbështetur edhe nga një helikopter, duke vënë situatën nën kontroll. Operacioni është në vazhdim për shuarjen e vatrave të zjarrit të fshehura.

QARKU FIER

Në vendin e quajtur Qafa e Lalarit, të bashkisë Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit të mbështetur nga vullnetarë, duke shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre, ferra dhe ullinj.

Në fshatin Qokë, Gërmenj, të bashkisë Divjakë ka rënë zjarr në një zonë të pyllëzuar me shkurre, dushqe dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur edhe nga vullnetarë, duke shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 10 ha me shkurre, ferra, 100 rrënjë ullinj dhe 1 ha pyll dushku.

QARKU ELBASAN

Në Elbasan ka rënë zjarr në lagjen “5 Maj” në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.

Në fshatin Vulçan, Hotolisht, të bashkisë Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, e pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre ferra dhe pisha.

Në fshatin Lisnaj, të bashkisë Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.5 ha me shkurre dhe ferra.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Ministrinë e Punëve të Brendshme përsërit thirrjen ndaj të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129 dhe 128. /Opinion.al/Telegrafi/

Exit mobile version