Prishtina, ka nisur zyrtarisht programin e biçikletave publike të quajtur “Prishtina Bikes”, ku në dhjetë stacione në Prishtinë tashmë janë vendosur biçikletat.
Kjo u bë e ditur të premten nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, transmeton Telegrafi.
Edhe nënkryetari i komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, për Telegrafin tha se ka filluar montimi i biçikletave në stacionet e tyre dhe në të njëjtën kohë po testohet sistemi për regjistrim dhe pagesa.
“Ne veçse kemi filluar montimin e biçikletave në stacionet e tyre. Gjatë kësaj jave do të bëhet montimi, kurse në anën tjetër është duke u testuar sistemi i regjistrimit dhe i pagesave”, tha ai.
Tutje ai tha se biçikletat do të jenë me pagesa simbolike, ku 30 min e parë të përdorimit do të jenë falas e më pas ora do të kushtojë 50 cent.
“Biçikletat do të jenë me pagesë simbolike, 30 minutat e parë janë pa pagesë, kurse pas atyre 30 min, ora kushton 50 cent”, tha ai.
Ndryshe, që të mund ti përdorni biçikletat sipas nënkryetarit Zogaj, fillimisht duhet të regjistroheni si përdorues të tyre. /Telegrafi/