Telegrafi

10 milion euro kredi për efiçencë të energjisë

Marrëveshja për Kredi u nënshkrua në lokalet e Raiffeisen Bankës në Prishtinë.

"Me këtë kontribut për promovimin e mbrojtjes së ambientit dhe klimës në Kosovë, bashkëpunimi financiar gjerman përmes KfW Entwicklungsbank mbështetë Republikën e Kosovës në përpjekjet e saj për përmirësimin e efiçencës së energjisë në veçanti dhe në mbrojtjen e ambientit në përgjithësi", thuhet ne komunikatë.

Kredia për efiçencë të energjisë me kohëzgjatje prej shtatë vitesh nga KfW Entwicklungsbank i mundëson Raiffaisen Bankës të financojë investime në zvogëlimin e shfrytëzimit të energjisë në ndërrmarjet e vogla dhe të mesme dhe amvisëri.

Këto investime përfshijnë ndërrimin e bojlerëve, ndriçimin efiçent, izolimin e ndërtesave ose edhe renovimin e sistemit te ngrohjes.

Raiffeisen Bank është banka e dytë partnere e KfW-së në këtë program inovativ të dhënies së kredive përmes sektorit bankar, me qëllim të promovimit të mbrojtjes së klimës dhe ambientit në Kosovë. KfW Entwicklungsbank synon që të zgjerojë mbështetjen në fushën e efiçencës së
energjisë në Kosovë edhe në të ardhmen.

KfW Entwicklungsbank është këshilltare strategjike dhe kompetente lidhur me çështjet aktuale të bashkëpunimit zhvillimor. Zvogëlimi i varfërisë, sigurimi i paqes, mbrojtja e resurseve natyrore dhe ndihma të tjera që i japin formë globalizimit janë prioritetet kryesore të KfW
Enwicklungsbank. /Telegrafi/