Këtë vit do të fillojë vaksinimi me vaksinën HPV për djemtë, vaksinë kjo që parandalon disa lloje të kancerit.
Kështu bëri të ditur në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë, Arben Viti ku ndër të tjera tha se ky vaksinim ka filluar vitin e kaluar tek vajzat, ku janë vaksinuar 10 mijë vajza.
“Sot është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve dhe politikave shëndetësore. Ky është një hap thelbësor për parandalimin e sëmundjeve serioze. Ky virus shkakton shumë telashe dhe shumë lloje të kancerit. Në vitin e kaluar, miratuam përfshirjen e tri vaksinave të reja në kalendarin e fëmijëve. Nuk është një mundësi vetëm për vajzat, por edhe për djemtë për të parandaluar shumë sëmundje serioze. HPV është virus shumë i rrezikshëm dhe vaksinimi i djemve është një hap i rëndësishëm”, tha ai.
Ndër të tjera ministri theksoi se vaksinimi pa marrë parasysh gjininë është i rëndësishëm.
“Deri tani janë 10 mijë vajza nga grupi i synuar për t’u vaksinuar. Vaksinimi i të rinjve pa marr parasysh gjininë është i domosdoshëm”.
Ndërsa, drejtoresha e IKSHPK-së, Ardita Baraku ka thënë se ky vaksinim është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundje të tjera.
“Vitin e kaluar është bërë lansimi i imunizimit të vajzave 12 vjeçe kundër HPV. Vaksina kundër HPV-së është vaksinë e sigurt, dhe është mjet efikas për mbrojtjen nga kanceri dhe sëmundjet të tjera… Është e rëndësishme që të vazhdoj ky trend i mirë i imunizimit dhe t’i kemi të mbrojtur fëmijët tanë, e të sigurojmë një të ardhme të shëndetshme”, u shpreh Baraku.
Nga kjo konferencë për media u bë e ditur se vaksinimi i djemve nga mosha 11-12 (klasa VI) fillon në muajin shkurt të këtij viti në shkolla dhe institucione me vetëm një dozë. /Telegrafi/