Telegrafi

10 mijë punëtorë të administratës paralajmrojnë grevë

Sindikata e Pavarur e Administratës Publike, në një takim që mbajti të martën në Prishtinë, ka hartuar kërkesat të cilat kanë të bëjnë me nivelizimin e pagave të punonjësve të Administratës Publike të Kosovës në përputhje me koston e jetesës.

Kryetari i SPAK-së, Ndue Kalaj tha në një konferencë me gazetarë se ata kërkojnë edhe pagesën e stazhit të punës konform Kontratës së Përgjithshme Kolektive dhe sigurimin e ushqimit cilësor apo definimin e shumës prej 3 euro për një shujtë. Sipas tij, nëpunësit e administratës shtetërore janë kategoria e punonjësve më të papërfillurit, më të dëmtuarit dhe me gjendjen më të rëndë ekonomike që financohen nga buxheti i Kosovës.

Ai tha se tash nëntë vjet pas luftës nuk ka asnjë ndryshim në të ardhurat e tyre, qysh pas luftës kur ju është përcaktuar paga atyre me kualifikim të mesëm 121 €, me kualifikim të lartë 151 €, dhe shërbyesve me kualifikim superior 179 €. 

“Qeveria po gjen para për kategori tjera, ndërkaq për ne nuk po gjen, atëherë do të fillojmë me grevë në vendin e punës”, tha ai, duke shtuar se ka nëntë vjet që ju dërgojmë kërkesa qeverisë për takime, por që nuk kanë pasur sukses.