Telegrafi

Deri në 10 mijë euro për 1 pasaportë, zbardhet skema e trafikut të shqiptarëve drejt Britanisë e Irlandës

Nga 3500 deri në 10 mijë euro ishte çmimi që qytetarët i paguanin grupit të trafikantëve që mundësonin kalimin drejt Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

RTSH zbardh detaje nga dosja që zbuloi rrjetin e shqiptarë e të huajve që merrnin përsipër nga pajisja me dokumente e pasaporta e deri tek transportimi i udhëtarëve në destinacionet e dëshiruara.

Grupi kriminal merrte përsipër transportin që nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së kryesisht Spanjës, ku klientët fillimisht lëviznin me pasaporta shqiptare të rregullta dhe më pas u viheshin në dispozicion dokumentet e falsifikuara në mënyrë që të shkonin drejt Irlandës apo Anglisë.

Dyshohet se këto dokumente prodhoheshin në një laborator të sofistikuar në Kosovë, i cili nuk është gjetur ende dhe më pas, në bashkëpunim me një agjenci udhëtimesh i  transportonin dokumentet.

Organizator kryesor i të gjithë rrjetit mësohet se ishte Bashkim Sula, i arrestuar në mesin e 26 personave, i cili në tërësi përgatiste rrjetin, koordinonte veprimet me Kosovën.

Ndërkohë, Njazi Ademaj, po ashtu i arrestuar, kishte rol për gjetjen e qytetarëve që u duheshin dokumente false për t’i nisur në Spanjë, me destinacion final Britaninë e Madhe dhe Irlandën, të cilët arrinte t’i gjente në bashkëpunim me të tjerë.

Shqiptarët që donin të udhëtonin në vendin ishullor, ishin kryesisht të thjeshtë dhe kërkonin të shkonin për çështje ekonomike apo bashkime familjare.