Site icon Telegrafi

10 librat e propozuar nga shtëpia botuese “Dukagjini” për këtë verë

Pushimet verore kanë nisur dhe, përveç planeve për argëtim e momente sa më të bukura, ju, pa dyshim, jeni duke kërkuar edhe librin e duhur për këtë verë.

Redaksia e shtëpisë botuese “Dukagjini” jua propozon dhjetë tituj për ta bërë sa më të lehtë përzgjedhjen tuaj.

Një, apo më shumë nga këta libra, duhet të jetë shoqëruesi juaj në këto ditë vere. Historitë që gjenden brenda faqeve të tyre janë të ndryshme dhe përfshijnë një gamë të llojllojshme lexuesish.

“Dukagjini” propozon, ju bëni zgjedhjen:

– “Peter Camenzind” – Hermann Hesse

Për të gjithë lexuesit e verës, jua propozojmë “Peter Camenzind” nga Hermann Hesse.

“Peter Camenzind” është romani i parë i Hermann Hesse-s, i përkthyer për herë të parë në gjuhën shqipe nga “Dukagjini”. Ky nuk është vetëm një rrëfim spiritual që u prin librave të Hesse-s, por është një libër tejet personal që shpërfaq rrugën jetësore të vetë shkrimtarit.

– “Gertruda” – Hermann Hesse

Ky libër rrëfen historinë e kompozitorit Kuhn dhe marrëdhënien e tij të komplikuar me dy artistë: të pakënaqur e pa shpresë, Gertruda dhe Hajnrih kanë një martesë kaotike, që i lë të dy të shkatërruar. Megjithatë, kjo ngjarje tragjike bëhet frymëzim për operën e Kuhn-it – suksesi më i rëndësishëm i jetës së tij artistike.

– “Poezi të zgjedhura” – Hermann 

Për dashamirët e poezisë, në pushimet e kësaj vere, jua propozojmë librin “Poezi të zgjedhura” nga Hermann Hesse. 

“Poezi të zgjedhura” paraqet një rrugëtim poetik në thellësitë e shpirtit njerëzor. Aftësia e Hesse-s për të ta paraqitur esencën e shpirtit të njeriut në poezi është ajo që i bën këto “Poezi të zgjedhura” me vlerë dhe interesante për lexuesit e pasionuar të poezisë. 

– “Rosshalde” – Hermann Hesse

“Rosshalde” nga Hermann Hesse, vjen nga seria e shkrimtarit gjermano-zviceran, që sjell shtëpia botuese “Dukagjini”. 

“Rosshalde” është historia klasike e një njeriu të ndarë mes detyrimeve ndaj familjes dhe dëshirës së tij për një përmbushje shpirtërore që mund të gjendet vetëm jashtë kufijve të shoqërisë konvencionale. Tema e librit është martesa e dështuar e protagonistit.

– “Nën rrotë” – Hermann Hesse

“Nën rrotë” tregon historinë e Hans Gibenratit, një djalosh i talentuar të cilin e dërgojnë në një seminar në Maulbronn. Hesse shtjellon një temë mjaft interesante në këtë libër: atë se si arrijnë sistemi edukativ dhe presioni shoqëror ta shkatërrojnë potencialin e një individi. 

– “Demiani” – Hermann Hesse

Për lexuesit e Hermann Hesse-s për verën e 2024-ës, jua propozojmë “Demiani” nga seria e shkrimtarit gjermano-zviceran, që sjell shtëpia botuese “Dukagjini”. 

Kjo vepër paraqet historinë e rinisë së Emil Sinkler-it dhe kërkimit të tij drejt vetvetes. 

– “Gjarpri dhe zambaku” – Nikos Kazanxaqis

“Gjarpri dhe zambaku” i autorit Nikos Kazanxaqis është në radhën e librave që jua propozojmë për verën e këtij viti.

Libri “Gjarpri dhe zambaku” është një novelë autobiografike e autorit, që mund të lexohet si prozë poetike. Ai paraqet historinë e dashurisë së një piktori dhe pasionin e tij. Ky personazh vihet në sfidë mes dashurisë dhe pasionit obsesiv në njërën anë, dhe lirisë së tij në anën tjetër.

“Gjarpri dhe zambaku” është vepra e parë e Nikos Kazanxaqisit, botuar më 1906, që është përkthyer mjeshtërisht nga Sokol Çunga. 

– “Mëngjes te Tiffany” – Truman Capote

“Mëngjes te Tiffany” është ndër librat më të përfolur të shekullit XX.

E shkruar nga Truman Capote, një ndër emrat më kontraversë të artit amerikan, kjo novelë arriti famë botërore, falë edhe ekranizimit të këtij libri në filmin ku personazhi kryesor, Holli, portretizohet nga ylli hollivudian, Audrey Hepburn.

Është roman i këndshëm që tërheq çdo tip lexuesi dhe që jetën e përditshme e të zakonshme e shndërron në art. “Mëngjes te Tiffany” nuk është vetëm historia e Hollit, por e çdo vajze që i tejkalon konvencat shoqërore dhe e jeton jetën ashtu siç ka dëshirë. Lexohet në çdo kohë, por ne e rekomandojmë për ta nisur mbarë verën e leximeve.

– “Pranvera romane e zonjës Stoun” – Tennessee Williams

“Pranvera romane e zonjës Stoun” është novelë e Tennessee Williams-it që paraqet historinë e një vejushe të pasur, fama dhe bukuria e dikurshme e së cilës po zbehen.

– “E bukur si teta” – Nikola Huppertz

“E bukur si 8”, nga Nikola Huppertz, rrëfen historinë e një 12-vjeçari, ku ndërthuren matematika dhe dashuria fëmijërore ndaj shoqes së tij të klubit të matematikës. Librin ua rekomandojmë adoleshentëve që ta lexojnë në këto ditë vere.

Librat mund t’i porosisni online ose i gjeni në pikat e shitjes së librarisë “Dukagjini”.

Lexim të këndshëm dhe pushime të rehatshme!

Exit mobile version