1. Gjakun e bën më të dendur
Pilula shton koagulimin e gjakut, për ç’gjë ai bëhet i dendur. Te femrat që kanë qarkullim të dobët, mund të shkaktojë qarkullim të dobët të gjakut në vena, ndërsa në raste shumë të rralla madje edhe trombozën. Patjetër ndërprejeni pirjen e duhanit, sapo të filloni të pini pilulën, posaçërisht po qe se jeni më e vjetër se 30 vjeç, sepse, krahas plakjes, shtohet edhe shtypja në arterie. Ushqimi i rregullt dhe i drejtë do t’ju ndihmojë në nivelin e kolesterolit dhe shtypjen e gjakut do ta mbani në kufijtë e lejueshëm.
2. Zbut dhembjet gjatë menstruacioneve
Shtrëngimet në bark, dhembja e këmbëve, kokëdhembja, janë simptoma tipike te ciklet e çrregulluara të menstruacioneve. Pilula e pengon aktivitetin e këtillë – vezoret pushojnë të prodhojnë vezë, andaj humbet edhe prostaglandina, prandaj shkaktohen dhembjet.
3. Zvogëlimi i puçrrave dhe i yndyrës së tepërt
Pilula, e cila përmban hormone femërore ndërprenë prodhimin e hormoneve mashkullore dhe në këtë mënyrë zvogëlon prodhimin e yndyrës dhe krijimin e puçrrave.
4. Shton punën e mëlçisë
Mjeti kontraceptiv shton punës e mëlçisë, e cila patjetër duhet të punojë shumë, në mënyrë që të metabolizojë. Në qoftë se mëlçia është në rregull, pilula nuk do të ketë kurrfarë veprimi përcjellës. Mirëpo, në qoftë se jeni e sëmurë nga hepatitisi, shtimi i punës së mëlçisë do të mund të shkaktojë probleme.
5. Rrit gjinjtë
Gjinjtë janë organ i cili më shumë se të gjitha organet e tjera reagon në praninë e hormoneve femërore. Gjatë muajve të parë të pirjes së pilulave, gjinjtë rëndom rriten ngadalë dhe forcohen. Kjo dukuri përcjellëse kryesisht është e kënaqshme, sepse grave me gjinj të vegjël i "pasuron" për ndonjë centimetër më shumë, ndërsa ato me gjinj të mëdhenj, kënaqen me faktin se gjinjtë u forcohen. Mirëpo, pas një kohe gjinjtë fillojnë të mësohen me praninë e hormoneve dhe shkaktohet përshtatja graduale e gjëndrave qumështore, të cilat fitojnë sërish madhësinë e tyre natyrale.
6. Ngadalëson rritjen e qimeve
Përdorimi i pilulës në bazë të hormoneve femërore zvogëlon numrin e atyre mashkullore dhe në këtë mënyrë ngadalëson rritjen e qimeve. Mirëpo, shtimi i qimeve në këmbë dhe në duar nuk është përherë pasojë e sasisë së tepërt të hormoneve mashkullore, më së shpeshti është trashëgimi.
7. Zvogëlon gjakderdhjen menstruale
Gjatë javës kur nuk përdorni pilulën, shkaktohen gjakderdhje, mirëpo ajo rëndom nuk është e vëllimshme, dhe nuk shkakton dhembje. Femrave anemike pilulat mund t’u preferohen për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore, sepse me humbje të vogël të gjakut zvogëlohet edhe sasia e hekurit të humbur. Gjakderdhja është mjaft me rregull, rëndom fillon dhe mbarën në të njëjtat ditë. Në qoftë se, për shembull, pilulën e fundit e keni pirë të hënën, gjakderdhja do të fillojë në afat prej dy-tri ditësh dhe do të përfundojë nga fundi i javës.
8. Shpejton krijimin e celulitit
Marrja e estrogjenit me anë të pilulës mund të shkaktojë mbajtjen e lëngut në indet jashtëqelizore, dobëson lehtë qarkullimin e gjakut, posaçërisht në këmbë. Te disa gra kjo mund të shkaktojë krijimin e celulitit, edhe pse pilula gjithsesi nuk është shkaktari kryesor i paraqitjes së celulitit.
9. Pilulën nuk bën ta përdorin gratë të cilët vuajnë nga diabetesi
Estrogjeni nga pilulat shkakton shtimin e nivelit të sheqerit në gjak, gjë që te gratë e shëndetshme nuk krijon kurrfarë pengese. Por, te gratë të cilat vuajnë nga diabetesi, mund të keqësohet sëmundja. Andaj, gratë të cilat vuajnë nga diabetesi, patjetër duhet zgjedhur ndonjë mënyrë tjetër kontracepsioni.
10. Shkakton shtimin e apetit
Disa gra thonë se kanë fituar disa kilogramë që kur kanë filluar të përdorin pilulën. Pilula, ndërkaq, nuk përmban kalori dhe si e tillë nuk shkakton trashjen. Në disa raste shkaktohet ndryshim në qendrën e cila rregullon ndjenjën e urisë, andaj paraqitet nevoja e shtuar për ushqim.
Një grup biologësh gjermanë ka zbuluar edhe një dukuri përcjellëse, e cila deri tani nuk është vërejtur: pilula ndryshon ekuilibrin e disa materieve në organizëm, përkatësisht shkakton mungesë të betakrotenit (substancë e domosdoshme për prodhimin e vitaminës A), ndërkaq shton nivelin e kolesterolit. Betakaroteni është i mirë për organizëm sepse pengon çrregullimet në qarkullimin e gjakut dhe disa lloje të kancerit. Është e njohur se kolesteroli duhet të jetë patjetër nën kontroll të vazhdueshëm, në mënyrë që të eliminohen problemet me zemrën dhe me enët e gjakut. Andaj, ç’duhet bërë? Përgjigja është e thjeshtë: duhet ndërruar ushqimin, sepse të gjitha ato çrregullime mund të zbuten ose madje të eliminohen tërësisht po qe se ushqimi është i përshtatshëm!
* Pa yndyrë! Po qe se, me gjithë ushqimin e kujdesshëm, kolesteroli edhe më tej është i lartë, duhet eliminuar yndyrat me origjinë shtazore, posaçërisht gjalpin, dhe duhet të zëvendësohen me vaj ulliri. Organet e brendshme, siç janë gjëndrat, veshkat, mëlçia, në tërësi duhet eliminuar nga ushqimi, ndërsa sallamet lejohen vetëm kohë pas kohe. Mishi i kuq mund të përdoret në ushqim më së shumti dy herë në javë. Ditëve të tjera duhet ngrënë mish pule, mish lepuri, mish gjeldeti apo bishtajoret, siç janë fasulja, qiqra.
* Perimet – patjetër! Perimet zvogëlojnë mungesën e betakarotenit: mjafton që gjellëve çdo ditë t’u shtohen karota, speci, domatja, korja dhe misri (përafërsisht 100 gramë). Veç kësaj, perimet ulin shkallën e sasisë së kolesterolit, sepse përmbajnë penj, të cilët zvogëlojnë absorbimin nga ushqimi. Prandaj, pos krundeve dhe drithërave, së paku një herë në ditë duhet ngrënë perime me fletë të gjera, siç janë sallatat dhe spinaqi. Gratë, të cilat përdorin pilulat, dy herë në vit duhet kontrolluar kolesterolin.
* Shumë ujë! Të ushqyerit e rregullt mund të zgjidhë edhe një dukuri përcjellëse të pilulës kontraceptive: ruajtjen e lëngjeve. Disa persona gabimisht besojnë se mosmarrja e lëngjeve do të zbusë mbufatjen. Në të vërtetë është e kundërta: duhet pirë sa më shumë ujë, sepse uji nxit punën e veshkave dhe pastrimin e organizmit. Përmirësohet edhe mikroqarkullimi. Perimet kanë shumë ujë, mirëpo gjatë ditës duhet pirë edhe së paku një litër e gjysmë. Pijet e gazuara dhe pijet alkoolike duhet shmangur, sepse ngarkojnë veshkat dhe vështirë lirohen nga organizmi./Telegrafi/