Artisti i talentuar Lisi ka surprizuar fansat e tij me një projekt të ri muzikor, vetëm disa javë pas publikimit të këngës së tij të fundit, “Modela”.
I njohur për stilin e tij unik dhe energjik në muzikë, ai kësaj here vjen me një këngë të titulluar “10/10”, e cila premton të jetë një tjetër sukses në repertorin e tij.
Kjo këngë, që shquhet për ritmin e saj të veçantë dhe tekstin me mesazhe të fuqishme, është realizuar në dy gjuhë – shqip dhe gjermanisht – duke i dhënë një tjetër dimension ndërkombëtar muzikës së tij.
Ky detaj e bën “10/10” një projekt më të veçantë, pasi i mundëson Lisit të arrijë një audiencë më të gjerë, duke e shtrirë ndikimin e tij përtej kufijve shqiptarë.
Në këtë projekt, kompozimi dhe beati janë punuar nga Qelik Lipa, ndërkohë, teksti është shkruar nga vetë Lisi, duke reflektuar stilin dhe autenticitetin e tij artistik.
Që në momentet e para të publikimit, “10/10” ka marrë vëmendjen e ndjekësve në platformën YouTube, ku mori komente të shumta pozitive. /Telegrafi/